RMV, një “magjistar” nga Trubareva është arrestuar, ka mjekuar magji për 400.000 euro

Një “magjistar” nga Trubareva ka arritur të nxjerrë 400.000 euro nga një çift bashkëshortor që ta mjekojë djalin e tyre nga magjitë. Ai sot është privuar nga liria dhe do të përgjigjet për vepër penale mashtrim. Siç informuan nga Ministria e Punëve të Brednshme, B.D. (76) nga Berova në SPB Shtip ka denoncuar se D.I. (54) nga fshati Trubarevë të Shkupit, në periudhën prej vitit 2022 deri në vitin 2025 i ka mashtruar atë dhe bashkëshorten e tij M.D. duke e prezantuar veten si person me aftësi të posaçme paranormale, gjoja “magjistar”, ekzorcist i shpirtrave dhe magjive, pra si njeri i Zotit i cili ka fuqinë dhe forcën për të zhdukur një magji të ligë që kinse i është hedhur djalit të tyre dhe që kinse i ka kërcënuar shëndetin dhe jetën, njofton Portalb.mk.

Gjatë tre viteve të kaluara, çifti bashkëshortor disa herë në lokacione të ndryshme në Shkup dhe Verovë u kanë dhënë të holla në vlerë prej 5.000 deri në 6.000 euro për mjekim, dhe në këtë mënyrë mashtruesi ka përfituar dobi pronësore kundërligjore prej gjithsej 400.000 euro.

Nga MPB-ja informuan se pasi të mashtruarit e kanë denoncuar rastin, nëpunës policor nga SPB Shtip dhe SPB Berovë, Reparti për polici kriminalistike dhe SPB Shkup, sipas udhëzimeve të prokurorit publik nga kompetentja PTHP Koçan, i kanë shenjuar të hollat pas çka dje në Berovë nga liria janë privuar i denoncuari D.I. dhe e ëma e tij D.I. (76) nga Trubareva, tek e cila gjatë bastisjes së realizuar janë gjetur 3000 euro.

Kundër dy personave është dorëzuar kallëzim penal për veprën e vazhduar penale mashtrim dhe janë dorëzuar tek gjykatësi për procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Koçan.