RMV, nga janari, fatura më të lira të rrymës për ata që kursejnë më shumë

Në konferencën e sotme për media të Komisionit Rregullator për Energji, kryetari Marko Bislimovski shpalli çmimet e reja të energjisë elektrike për amvisëri, transmeton Portalb.mk.

“Çmimi për bllokun e parë ulet me 5.16%, blloku i dytë dhe tarifa e lirë mbeten të njëjta, blloku i tretë rritet me 2.88% dhe blloku i katërt rritet me 1.86%. Nëse nuk e kemi futur konceptin e ri me rrjet aksesi, ku brenda të hyrave maksimale të rregulluara të miratuara, kemi futur një mënyrë të re të llogaritjes së energjisë elektrike për t’i bërë faturat më transparente”, thotë Bislimovski.

Në një rast të tillë, çmimi në bllokun e parë do të rritej me 3,4%, në të dytin me 8,62%, në të tretin me 9,46%, dhe në të katërtin me 4,90%. Tarifa e lirë do të rritej sërish me 15.42%.

“Çmimi për tarifat e rrjetit është ulur për gati 23%”, tha ai.

Ai shtoi se për 80% të familjeve funksionon tarifa e lirë nga ora 13:00 deri në 15:00.

Ndryshe, më 12 dhjetor, kreu i KRRE-së Marko Bislimoski tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike, nëse pranohen kërkesat e kompanive, mund të jetë për 27 për qind. Sipas Bislimoskit MEMO, MEPSO dhe “Elektrodistribucija” kanë dorëzuar kërkesa për çmime, por disa nga ato kërkesa janë jo të plota dhe për këtë arsye nuk mund të thuhet saktësisht se sa kanë kërkuar.

“Tenderi për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në MEPSO duhet të përfundojë deri në fund të kësaj jave dhe po ashtu ‘Elektrodistribucia’ e ka dorëzuar kërkesën para se të zbatojë tenderin e tyre, prandaj kërkesa e tyre nuk përfshin të dhënat për koston e blerjes së energjisë elektrike për të mbuluar humbjet. Prandaj KRRE nuk mund të thotë saktësisht se sa ka kërkuar MEPSO dhe sa ka kërkuar ‘Elektrodistribucia’”, tha Bislimoski.