Forcat ukrainase shkatërruan një luftanije të madhe ruse në Krime (Video)

Forcat e armatosura të Ukrainës sulmuan dhe shkatërruan anijen zbarkuese ruse “Novocherkask” në portin e Feodosia në Krime, tha komandanti i forcave ajrore të vendit, Mykola Oleshchuk, transmeton Portalb.mk.

“Kësaj radhe flamuri i flotës ruse të Detit të Zi, kryqëzori Moskva, po ndjek anijen e madhe amfibe Novocherkask”, shkroi Oleschuk në kanalin e tij Telegram. Ai nuk specifikoi se si u krye sulmi, por falënderoi pilotët e forcave ajrore dhe “të gjithë të përfshirët”.

“Dhe flota në Rusi po bëhet gjithnjë e më e vogël! Faleminderit pilotëve të Forcave Ajrore dhe të gjithë të përfshirëve për punën filigrane!”

Pamjet që qarkullojnë në disa media ruse në Telegram tregojnë shpërthime të forta dhe zjarre mbi port.

Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi më vonë se Novocherkassk u dëmtua “gjatë zmbrapsjes së një sulmi nga forcat e armatosura ukrainase duke përdorur raketa të drejtuara nga avionët”. Në të njëjtën kohë, departamenti ushtarak rus pretendon se gjatë betejës kundërajrore, dy avionë ukrainas Su-24 që lëshuan raketa u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes kundërajrore.

Shpërthime ndodhën në rajonin Feodosia të Krimesë së pushtuar rreth orës 03:00 të mëngjesit. Këtë e ka konfirmuar kreu i gadishullit i emëruar nga Rusia, Sergej Aksenov. “Zona e portit është e rrethuar. Në këtë moment, shpërthimi është ndalur dhe zjarri është vënë nën kontroll. Të gjitha shërbimet përkatëse janë në vend. Banorët e disa shtëpive do të zhvendosen”, tha Aksenov.

Më pas ai sqaroi se si pasojë e sulmit me raketa në port, një person ka humbur jetën dhe dy janë plagosur. “

Gjashtë ndërtesa janë dëmtuar, kryesisht xhama të thyer. Infrastruktura e transportit po funksionon normalisht, nuk ka kufizime në transportin e udhëtarëve”, tha Aksenov.

Sipas kanalit të Telegramit të Krimesë Wind, Novocherkassk mund të kishte bartur në Krime një grumbull dronësh iranianë ose municione të tjera. Në të njëjtën kohë, ai transportonte mallra nga Novorossiysk, pasi nuk mund të kalonte nëpër Bosfor në përputhje me Konventën e Montreux.