RMV, nga 1 janari, çmimi mesatar i rrymës do të rritet me 0.92%, rritje ka edhe në tarifën e lirë

Një amvisëritë me faturë mujore të rrymës prej 2.300 denarë, nga 1 janari i vitit të ardhshëm rryma do t’i rritet për 21 denarë, informoi sot kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë(KRRE), Marko Bislimoski. Ai tha se vendimi i marrë në seancën e sotme nënkupton rritje të çmimit mesatar të energjisë elektrike për amvisëri për 0,92 përqind, transmeton Portalb.mk.

Rritja e çmimit për bllok është më e madhja në bllokun e katërt, me 2.24 përqind. Në bllokun e parë rritja është 0.68 përqind, në të dytin me 0.9 dhe në bllokun e tretë me 1.93 përqind.

Nga 1 janari, tha Bislimoski, rritje do të ketë edhe tarifa e lirë për 0,9 për ind.

Bislimoski tha se sipas kërkesës që EVN Home ua ka dorëzuar për kontroll dhe shqyrtim më 5 dhjetor të këtij viti, çmimi është dashur të rritet për 4,4 përqind.

Dallimi i vetëm, siç tha Bislimoski, mes asaj që është miratuar dhe asaj që ka kërkuar EVN Home, ka qenë në faktorin korrigjues.

“Në pjesën më të madhe nuk kemi pasur dallime sa i përket sasive të energjisë elektrike, kostove të prokurimit dhe kostove të transmisionit. Dallimi i vetëm mes asaj që kemi aprovuar tani dhe asaj që ka paraqitur EVN është në aspektin e faktorit korrigjues, i cili është sigurimi i stabilitetit të çmimeve, që pothuajse nuk do të kenë ndikim ose do të kenë ndikim minimal në koston totale të energjisë elektrike të qytetarëve“, tha Bislimoski.

Ai shtoi se ky është vendimi i parë në të cilin kanë përdorur mekanizmin e kontrollit për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike për amvisëri dhe konsumatorë të vegjël.

Bislimoski përkujtoi se me vendimin e mëparshëm, KRRE ka ulur çmimin e tarifës së rrjetit, para së gjithash në sektorin e distribucionit, dhe kjo i ka mundësuar që të kenë pozitë më të rehatshme në marrjen e vendimit aktual.

Me vendimin e ri, siç tha ai, furnizuesit universal, ndaj të cili borxhi është rreth 870 milionë denarë, do t’i kthehen 65 milionë denarë, ndërsa nga teprica do t’i kthehen edhe 132 milionë denarë.

Pritjet e Bislimoskit janë që për gjashtë deri në shtatë vjet borxhi ndaj furnizuesit universal të shlyhet plotësisht.

Bislimoski në fillim të dhjetorit ka paralajmëruar se nuk pret rritje më të madhe se një përqind të çmimit mesatar të rrymës për amvisëritë.