RMV, në fund të muajit do të mbarojë mundësia për të aplikuar për grant në Fondit për Inovacion

Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik deri më 29 prill në ora 14:00 do të pranojë aplikime nga ndërmarrjet dhe institucionet shëndetësore private për të siguruar mbështetje financiare për realizimin e projekteve, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi i mbështetjes është që ndërmarrjet të krijojnë kushte për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike, të arrijnë rritje të përshpejtuar, të rrisin konkurrencën në tregjet ndërkombëtare dhe rezistencën ndaj krizave pandemike dhe klimatike, përmes prezantimit të teknologjive të reja, inovative, të avancuara, “gjelbra” dhe digjitale për transformimin e tyre”, sqarojnë nga Fondi.

Ndërmarrjet që kanë deri dhjetë të punësuar do të mund të marrin deri 2.5 milionë denarë, ashtu që 30 % e projektit duhet të mbulohet nga ndërmarrja. Ndërmarrjet që kanë 10-50 të punësuar, do të mund të marrin deri 5 milionë denarë, ashtu që 30 % e projektit duhet të mbulohet nga ndërmarrja. Mbështetja deri 10 milionë denarë do të jetë për ndërmarrjet që kanë 50 deri 250 të punësuar, ashtu që 40 % e projektit duhet të mbulohet nga ndërmarrja.

“Për financimin e projekteve në kuadër të këtij konkursi, për këtë instrument është paraparë buxhet i përgjithshëm prej 5.000.000.00 (pesë milionë ) euro në kundërvlerë me denarë”, theksoi Fondi, sqaruar që kohëzgjatja e projektit duhet të jetë deri 18 muaj.

Disa nga aktivitetet që pritet të financohen janë furnizimi dhe vendosja e teknologjike të reja, inovative, të avancuara, “të gjelbra” dhe digjitale për transferimin e proceseve të prodhimit dhe të biznesit, zhvillimi dhe vendosja e proceseve dhe standardeve të reja më ekologjike për prodhim dhe punë, etj.