RMV, në dekadën e fundit numri i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme ka rënë për 27 mijë

Në vetëm dhjetë vjet, në vend ka dhjetë përqind më pak nxënës në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Në shifra absolute, pra 27 mijë nxënës më pak, tregon hulumtimi i Qendrës për Komunikime Civile (QKC), sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), transmeton Portalb.mk.

Më e theksuar, sipas QKC-së, është rënia e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm, ku në një dekadë janë 17 mijë nxënës më pak. Në arsimin fillor, nga ana tjetër, numri i nxënësve ka rënë për pesë përqind, pra për dhjetë mijë nxënës. Në dy të tretat e komunave ka rënie të numrit të nxënësve, ndërsa rritje ka në dhjetë komuna të Shkupit dhe nëntë komuna të tjera, jashtë Rajonit të Shkupit.

Numri i nxënësve të shkollave të mesme ka rënë në 90 përqind të komunave

Numri i nxënësve të shkollave të mesme ka rënë në 73 komuna në vend, përfshirë edhe qytetin e Shkupit për një dekadë.

Në përqindje, humbësi më i madh i nxënësve të shkollave të mesme është Pehçeva, ku vitet e fundit numri i tyre është zvogëluar për 83 përqind. Në shifra absolute, rënia më e madhe e numrit të nxënësve të shkollave të mesme ka në Shkup dhe pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha – Tetovë, Strugë dhe Kërçovë, Strumicë, Gostivar, Kumanovë dhe Shtip.

“Përkundrazi, rritje ka vetëm në shtatë komuna, pesë prej të cilave janë të Rajonit të Shkupit dhe vetëm tri komuna tjera, Bërvenica, Bogovina dhe Bogdanci. Katër nga komunat me rritje janë ato në të cilat në 10 vitet e fundit është hapur shkollë mesme. Nëse përjashtohen këto komuna, numri i nxënësve të shkollave të mesme është rritur vetëm në tri komuna të vendit, përkatësisht: Aerodrom, Qendër dhe Bogdanci. Mirëpo, në të shtatë komunat ku ka rritje të numrit të nxënësve të shkollave të mesme, numri i përgjithshëm i rritjes është 1.136”, thuhet në hulumtimin e QKC-së.

Rritje e numrit të nxënësve të shkollave fillore në Shkup dhe Strumicë

Rritje të numrit të nxënësve të shkollave fillore, ndërkaq, në dhjetë vitet e fundit ka pasur në dhjetë komuna të Shkupit dhe në nëntë komuna nga brenda Në nëntë komunat jashtë Shkupit ka pasur një rritje totale prej vetëm njëmijë nxënësish në krahasim me dhjetë vjet më parë. Këto janë kryesisht komuna të vogla si Çashka, Tearca, Resnja dhe Krusheva.

Nga qytetet më të mëdha, vetëm në Strumicë ka rritje të numrit të nxënësve të shkollave fillore për rreth 400, përkatësisht për 9 përqind.

Përndryshe, sot ka filluar viti i ri shkollor. Mësimi në vitin e ri shkollor nuk do të zgjasë më shumë se data 10 qershor dhe nuk do të ketë pushim pranveror. Mësimi me një turne është futur në 140 shkolla dhe mbi 1000 asistentë arsimorë do të punësohen për të mbështetur nxënësit me aftësi të kufizuara.