RMV, kryetari i ri i Gjykatës Kushtetuese njoftoi se seancat do të transmetohen drejtpërdrejt

Dy funksionet e Talat Xhaferit si dhe betimi i kryetares Gordana Siljanovska Davkova janë dilemat e para kushtetuese-juridike që shkaktuan reagime në opinion dhe me të cilat mund të përballet Gjykata Kushtetuese. Xhaferi, i cili teknikisht mbetet kryeministër deri në zgjedhjen e qeverisë së re u bë edhe deputet, por e ngriu këtë pozitë, të cilën Antikorrupsioni e konsideroi jokushtetuese. Kryetari i ri i Kushtetueses, Darko Kostadinovski, paralajmëroi se nëse tashmë kanë ardhur, iniciativat për këto çështje do të shqyrtohen seriozisht. Por edhe nëse nuk ka, gjykata do të veprojë me iniciativën e saj nëse ka ndonjë dyshim, transmeton Portalb.mk.

“Në periudhën e ardhshme mund të pritet aktivizim gjyqësor. Të jeni të sigurt se nëse këto apo ndonjë tjetër që plotëson interesin e publikut apo ngjall dyshime tek unë si gjyqtar apo tek ndonjë gjyqtar, ju siguroj se do të kemi aktivizim të intensifikuar gjyqësor. Dhe këtu nuk do të dallojmë nëse këto lëndë janë më të rëndësishme apo më pak të rëndësishme, sepse duke punuar me lëndë shohim shumë anomali”, tha Kostadinovski.

Kostadinovski u zgjodh kryetar i ri i Kushtetueses javën e kaluar. Ai thotë se nuk priste që të propozohej, por tashmë ka prioritete dhe sfida, të cilat i ndau sot në një konferencë për media. Rikthimi i besimit të qytetarëve te Gjykata Kushtetuese dhe shteti i së drejtës, të cilin ai vlerësoi se, është në nivelin më të ulët historik. Ai premtoi se do të jetë besnik ndaj gjykatës dhe do të udhëheqë një luftë pa kompromis kundër ndikimeve politike, gjithashtu do të insistojë që seancat të regjistrohen dhe transmetohen drejtpërdrejt.

“Duhen disa hapa, më mirë do t’i quaja sfida. E para është pa kompromis në sigurimin e autonomisë dhe pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese. E dyta do të jetë pakompromisi im në përpjekjen për të pasur ndonjë ndikim politik apo çfarëdo lloji tjetër në gjykatë apo te gjyqtarët kushtetues”, tha Kostadinovski.

Kostadinovski planifikon të sigurojë autonominë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese me iniciativë për ndryshime kushtetuese dhe në këtë mënyrë miratimin e ligjit sistemik. Nga paraardhësja e tij, Dobrila Kacarska, do të marrë angazhimet për paraqitjen e padisë kushtetuese.