Numri i të sëmurëve me grip po rritet: Resnja, Kavadari dhe Kratova me aktivitet shumë të lartë të virusit

Javën e fundit është rritur numri i të infektuarve me grip në vend, tregojnë të dhënat nga raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (IShP). Në tri njësi raportuese që kanë raportuar raste gjatë kësaj jave është regjistruar aktivitet shumë i ulët i virusit të gripit, në tetë ka qenë sezonal, në 12 të mesëm, në Dibër – i lartë dhe në tri njësi raportuese – Resnjë, Kavadar, Kratovë – aktivitet shumë i lartë i virusit, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë javës së katërt të vitit 2024 nga 22 deri më 28 janar, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë raportuar 1,834 raste të raportimeve në grup për persona të prekur nga sëmundje të ngjashme me gripin, 9,5 për qind më shumë krahasuar me javën e kaluar. Numri i të regjistruarve këtë javë krahasuar me javën e katërt të sezonit të kaluar është rritur me 2.1 herë”, thuhet në raportin e IShP-së.

Sa i përket shpërndarjes së moshës, 982 persona janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 342 janë fëmijë nga mosha deri në katër vjeç, 256 janë fëmijë nga mosha pesë deri në 14 vjeç dhe 254 raste janë regjistruar te personat mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët nën moshën katër vjeç.

Sipas të dhënave të 27 qendrave për shëndet publik, më së shumti të sëmurë ka në Shkup – 238, Manastir – 196, Kavadar – 184, ndërsa në qytetet e tjera, numri i rasteve të raportuara është më pak ose baraz me 150.

“Gjatë kësaj jave janë regjistruar dy vdekje të lidhura me gripin. Bëhet fjalë për personat e moshës 20 dhe 36 vjeçare nga Shkupi dhe Demir Hisari, të cilët janë shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile. Te personat e vdekur është konstatuar prania e sëmundjeve shoqëruese – hematologjike, kardiovaskulare, obeziteti dhe nuk janë vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal”, sqarohet në raportin e IShP-së.

Në sezonin 2023/2024, numri i përgjithshëm i rasteve me sëmundje të ngjashme me gripin është 7009, sipas të dhënave të Institutit.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të raportuara është rritur për 37.3 për qind dhe krahasuar me modelin e 13 sezoneve të fundit ka një rritje prej 26.1 për qind.

ISHP kujton se vaksinimi kundër gripit sezonal është mbrojtja më efektive kundër kësaj sëmundjeje.

Deri në javën e katërt të vitit 2024, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë vaksinuar gjithsej 61.543 persona me vaksinë falas ose komerciale.

Kujtojmë se kolla që mund të zgjasë për javë të tëra dhe për të cilën asgjë nuk ndihmon, temperatura e lartë, ndjesi plogështie dhe rraskapitjeje. Këto janë simptomat më të shpeshta që përjetojnë pacientët, të cilët kanë mbushur klinikat në periudhën e kaluar.