RMV-ja sot zhvillon takimin e fundit si kryesuese e A5, në vitin 2024 këtë rol e merr Shqipëria

Sot, 18 dhjetor, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të udhëheqë takimin përfundimtar të Komisionit të Partneritetit të SHBA-Karta e Adriatikut (A5), me të cilin rrumbullakohet kryesimi i Maqedonisë së Veriut me A5 për vitin 2023, transmeton Portalb.mk.

Në fokus të takimit do të jenë arritjet dhe e ardhmja e Kartës, si dhe situata aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Në iniciativë, përveç Maqedonisë së Veriut, vende anëtare janë edhe Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova, Sllovenia dhe Serbia kanë statusin e vendeve vëzhguese. Peshë të veçantë politike nismës i jep anëtarësimi i partnerit tonë strategjik, SHBA-së.

Sipas parimit të rotacionit, në vitin 2024 kryesimi me SHBA-Karta e Adriatikut do ta marrë Republika e Shqipërisë.

AGJENDA

15:00/15:30 – Konferencë për media e MPJ Bujar Osmani dhe MPJ i Shqipërisë, Igli Hasani

15:30/16:45 – Takimi i Komisionit të Partneritetit, Sesioni i parë “20 vjet A5: Rruga drejt dekadës së re dhe më tej”.

Maqedonia e Veriut kryesimin me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (PBEJL) e mori me 1 korrik 2023. Ky proces, i cili, që nga themelimi në vitin 1996, është forum unik që i përfshin të 13 vendet e Evropës Juglindore, mes të cilave, pjesa më e madhe janë anëtarë të NATO-s, anëtarë apo kandidatë për në BE, por edhe pjesë e OSBE-së.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, atëkohë theksoi se marrja e kryesimit të Procesit nga Maqedonia e Veriut, paralelisht me kryesimin e OSBE-së dhe SHBA – Karta e Adriatikut (A5) paraqet nder të madh, por jo më pak përgjegjësi, ku janë të drejtuara të gjitha kapacitetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Slogani i kryesimit ishte “Tejkalojmë ndarjet, ndërtojmë besim” dhe prioritetet e fokusuara në pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve euroatlantike.