RMV-ja me kredi prej 93,8 milionë eurosh nga Banka Botërore do të forcojë sektorin financiar dhe tranzicionin e gjelbër

Në përpjekje për të forcuar pozitën fiskale dhe sektorin financiar në vend, por edhe për të forcuar tranzicionin e gjelbër të RMV-së, Banka Botërore sot miratoi dhe siguroi kredi në vlerë prej 93.8 milionë eurosh, e cila është në përputhje me prioritetet makroekonomike të Maqedonisë së Veriut, sipas Strategjisë Fiskale 2024-2028 dhe Programit për reforma ekonomike 2023-2025 të Qeverisë, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Maqedonia, ashtu si vendet e tjera të Evropës, përballet me presione të vazhdueshme të inflacionit, të cilat rëndojnë financat publike në kushtet e shtrëngimit monetar dhe rritjes së kostove të huamarrjes, prandaj me këtë mbështetje synimi ynë është të ofrojmë mjete të shpejta financiare për të forcuar qëndrueshmërinë fiskale, duke mbështetur reformat e nevojshme klimatike të vendit dhe tranzicionin energjetik”, tha drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë dhe Kosovën, Massimiliano Paolucci.

Operacionet e reja të Bankës Botërore mbështesin përpjekjet për të reduktuar varësinë e vendit nga lëndët djegëse fosile, përmes përmirësimit të efikasitetit të energjisë në sektorin publik, rritjes së investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë dhe mbledhjes më të mirë të të dhënave në lidhje me ekspozimin e sektorit bankar ndaj rreziqeve klimatike.

Me këto reforma, parashikohet që ato të ndihmojnë RMV-në të tërheqë rreth 45 milionë euro investime private për energji të rinovueshme, duke përfshirë instalimin e paneleve diellore, deri në vitin 2026.

“Ne kemi punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar që mbështetja jonë e politikave dhe asistenca teknike janë komplementare dhe në përputhje me agjendën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Sanja Maxhareviq Shujster, ekonomiste e lartë për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore.

Huaja e Bankës Botërore përbëhet nga një këst i vetëm tërheqjeje prej 93.8 milionë euro me afat maturimi 11 vjet, duke përfshirë periudhë mospagimi prej 4.5 vjetësh.