RMV, inspektori i policisë i akuzuar për vrasjen e një emigranteje u shpall i pafajshëm

Polici Igor Markov, i cili pranverën e kaluar plagosi për vdekje migranten Fatmata Kamara teksa ajo po tentonte të hynte në Maqedoni afër Gjevgjelisë me tre emigrantë të tjerë, është shpallur i pafajshëm. Pas provave dhe dëshmive të paraqitura, këshilli i udhëhequr nga gjyqtari Nenad Saveski nga Gjykata Penale e Shkupit nuk konstatoi vepër penale në rastin e tij, transmeton Portalb.mk

Fatmata Mansarai Kamara nga Sierra Leone u ul prapa sediljes së pasagjerit të kontrabandistëve. Në atë automjet ndodheshin gjithsej katër emigrantë.

“Shpresa për një jetë më të mirë ishte udhërrëfyesi për ta për të nisur një synim të tillë plot pasiguri. Gjykata i shpreh ngushëllimet bashkëshortit aktual Kabubaka Kamara dhe familjes së 23-vjeçares Fatmata. Ky gjyq ishte shumë emocionues. Humbjen nuk e kompenson asgjë, por Gjykata vendos në bazë të Kushtetutës dhe ligjit dhe në bazë të provave të paraqitura”, tha gjyqtari Saveski.

“Prandaj, Igor Markov nga Negorci lirohet nga akuza”, shpalli vendimin e tij gjyqtari.

I akuzuari nuk ishte i pranishëm në shpalljen e aktgjykimit. Ai është akuzuar nga Prokuroria për Krimin e Organizuar për veprën penale të “Krimeve të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, e cila parashikon një dënim minimal prej 3 vitesh burg.

Ngjarja ka ndodhur herët në mëngjes më 19 prill të këtij viti në Kazermën e Vjetër afër Gjevgjelisë. Gjatë një bastisjeje për parandalimin e kontrabandës së emigrantëve, policia gjeti dy kontrabandistë dhe disa emigrantë. Inspektori i akuzuar nxori armën dhe u bërtiti të pranishmëve që të ndalonin. Njëri nga kontrabandistët u kthye nga ai papritmas dhe u përpoq t’i merrte armën, pas së cilës ata filluan të përleshen.

Prokuroria mendon se polici nuk duhej të kishte nisur një përleshje me kontrabandistin dhe për këtë arsye akuzoi Markovin. Gjatë përleshjes, një nga kontrabandistët e kapi Markovin nga qafa. Gjatë përleshjes, arma ka qëlluar dhe ka goditur për vdekje Fatmën, e cila ndodhej në makinën e kontrabandistëve.

Kontrabandistët, pasi u deklaruan fajtorë për veprën e “Kontrabandës me migrantë”, u dënuan me nga një vit burg.

Gjykatësi tregoi se në këtë rast tragjik nuk kishte asnjë krim. Ai i referoi palët në të drejtën e ankimit në gjykatën më të lartë dhe palët e dëmtuara në një mosmarrëveshje civile, për kompensim të mundshëm.