RMV, është shënuar rasti i dytë me ethet e Nilit Perëndimor

Instituti i Shëndetit Publik regjistroi një rast të dytë të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor. Në raport, siç bëjnë me dije IShP-ja, bëhet fjalë për një 34-vjeçar banues të Koçanit. Sipas raportit të mjekëve, simptomat fillestare të pacientit kanë filluar me temperaturë të lartë, dridhje, plogështi, dhimbje muskujsh, dhimbje koke dhe kolaps pas çka ka rënë dhe ka marrë prerje në kokë dhe duar, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të konsistencës së temperaturës, më datë 09.07.2024, pacienti është transferuar në repartin infektiv në ISHP Spitali Klinik – Shtip. Janë marrë mostra për analiza mikrobiologjike të disa shkaqeve. Me një test serologjik janë marrë të dhëna për praninë e antitrupave kundër shkaktarit WNV nga laboratori virologjik në IShP, pra është konfirmuar sëmundja ethet e Nilit Perëndimor. Pacienti në periudhën prej datës 09-15.07.2024 është hospitalizuar në ISHP Spitalin Klinik – Shtip dhe ka dalë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në raport.

Pacienti ishte në një udhëtim turistik në Tunizi dhe gjatë qëndrimit, siç tha ai, ka vërejtur një numër të madh mushkonjash dhe është pickuar, ndonëse gjatë qëndrimit në pjesën më të madhe të kohës ka përdorur repelentë.

Në rajonin e Koçanit është vërejtur prania e mushkonjave. Sipas informacioneve nga epidemiologu kompetent, është kryer dezinfektim i rregullt, bëjnë të ditur nga ISHP.

Gjatë vitit 2024, në shtet u raportuan gjithsej dy raste laboratorike të konfirmuara të etheve të Nilit Perëndimor. Rasti i parë, i cili po ashtu ishte i importuar, është regjistruar në muajin prill te një banor i komunës së Vasilevës, në territorin e Qendrës për shëndet publik – Strumicë.

Periudha e inkubacionit për këtë sëmundje zakonisht zgjat nga 3 deri në 14 ditë. IShP bën me dije se rreth 80% e infeksioneve te njerëzit kalojnë pa shfaqur simptoma. 20% e mbetur e infeksioneve simptomatike zakonisht manifestohen si ethe që kalon vetvetiu dhe më pak se 1% e infeksioneve zhvillohen në forma serioze, me një pasqyrë të rëndë klinike dhe janë potencialisht fatale (p.sh. inflamacion i trurit ose shfaqja e paralizës).

Nuk ka terapi specifike dhe trajtimi ka për qëllim kryesisht kurimin e simptomave.