RMV, 100 të rinj mund të aplikojnë për praktikë, do të marrin bruto kompensim mujor prej 150 funtash

Njëqind të rinj do të kenë mundësi të fitojnë përvojë pune praktike në kohëzgjatje prej dy muajsh përmes programit për punë praktike të Këshillit Rinor Nacional të Maqedonisë – KRNM. Për të marrë pjesë në program, të rinjtë thjesht duhet të paraqiten se janë të interesuar për punë praktike, pas së cilës KRNM-ja do të veprojë si ndërmjetës midis tyre dhe personave juridikë, përkatësisht do të zgjedhë një praktikant të përshtatshëm sipas nevojave të personit juridik, transmeton Portalb.mk.

Praktikantët që marrin pjesë në program do të marrin bruto kompensim mujor prej 150 funta, ndërsa gjithashtu do të fitojnë aftësi, njohuri dhe kompetenca të reja. Të gjithë të rinjtë që janë të interesuar për punë praktike duhet të kenë regjistruar një profil në platformën CareerHub dhe të plotësojnë formularin e qasshëm në këtë link, jo më vonë se 18 qershor 2023, deri në mesnatë.

Për të marrë pjesë në program, praktikanti duhet të jetë i moshës 15 deri në 29 vjeç, ndërsa kushtet dhe detyrimet janë që ai/ajo të mos jetë në marrëdhënie të rregullt pune, të ketë përfunduar të paktën arsimin fillor dhe të mund të kryejë punë praktike për një kohëzgjatje prej dy muajsh te një person i caktuar juridik. Praktika mund të realizohet në periudhën nga korriku deri në fund të vitit 2023, por praktika dymujore duhet të jetë e vazhdueshme, pa ndërprerje gjatë dy muajve.

Të gjithë personat juridikë (ndërmarrjet dhe organizatat e shoqërisë civile), të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e programit për punë praktike dhe të punojnë me praktikantë, mund të aplikojnë duke plotësuar formularin që gjendet në këtë link. KRNM do të sigurojë një praktikant të përshtatshëm dhe do të mbulojë bruto kompensimin mujor prej 150 funta, në kohëzgjatje prej dy muaj për praktikantin.

Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë – KRNM për herë të dytë prezanton programin për punë praktike. Gjatë zbatimit të programit herën e parë, rezultoi me punësimin e deri në 70% të praktikantëve.

Ky program është pjesë e projektit “MladiHab– Kapërcimi i Pabarazisë Rinore”, implementuar nga KRNM dhe rrjeti Stella, me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Shkup. Qëllimi është të mbështesë dhe inkurajojë vajzat dhe gratë e reja që të jenë më aktive në shoqëri, të krijojnë qasje të barabartë në mundësitë në jetën publike, në sektorin privat dhe në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal dhe në nivel kombëtar. Për të arritur këtë qëllim, përveç programit për punë praktike, do të zbatohen disa aktivitete, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, program këshillimi për karrierën, i cili ka filluar dhe deri më tani ka përfshirë mbi 30 persona, si dhe një program mentorimi për vajzat dhe gratë e reja nga shkollat e mesme.

Të gjitha informacionet në lidhje me praktikantët janë në dispozicion në “Thirrje për praktikantë”, ndërsa të gjitha informacionet, kushtet dhe përfitimet për personat juridikë nga pjesëmarrja në program janë në dispozicion në “Thirrje për persona juridikë”.