Rinia ia mbyll derën Maqedonisë së Veriut: “Në këtë vend nuk jetojmë por mbijetojmë”

Portalb.mk kreu një anketë për largimin e të rinjve nga Maqedonia e Veriut. Nga 134 që u përgjigjën, 22 të rinj thanë se tashmë ishin larguar nga vendi, nga 112 të tjerët të cilët ishin ende në RMV 67 mendojnë të largohen nga këtu. Arsyet e largimit janë të ndryshme, por si kryesore përmendin korrupsionin, politizimin, nepotizmin, shëndetësinë, rrogat dhe standardin e ulët dhe të tjera. Të rinjtë për Portalb.mk rrëfyen në dorë të parë eksperiencat e tyre. Shifrat e largimit të rinisë janë shqetësuese në nivel shtetëror. Prindërit me lot në sy çdo vit presin dhe përcjellin fëmijët e tyre. Organizatat rinore dhe sociologët alarmojnë: Nëse autoritetet nuk gjejnë zgjidhje, do ngelim pa rini. Ndërsa Ministria e Rinisë premtoi plan për kthimin e të rinjve në vendlindjen e tyre dhe duke u ofruar kushte të favorshme.

Anketa e Portalbit: Rinia po largohet

Nga 5 deri më 26 gusht 2024 Portalb.mk kreu një anketë anonime për migrimin e të rinjve nga Maqedonia e Veriut. Anketa ishte e dedikuar ekskluzivisht për grup-moshën nga 15 deri 35 vjeç.

Anketa u plotësua nga 134 persona nga kjo grup-moshë, nga të cilët 85 ishin djem dhe 49 vajza.

Nga gjithsej 134 të anketuar, 22 të rinj kishin migruar nga vendi, ndërsa nga 112 të tjerët të cilët ishin ende në RMV, 67 mendojnë të largohen nga këtu.

Përveç një të anketuari, gjithë të tjerët kanë familjarë apo miq të cilët kanë migruar nga vendi.

Gjysma (11) e atyre që kanë braktisur vendin këtë e kanë bërë për shkaqe ekonomike/financiare, ndërsa gjysma tjetër (11) për standard dhe kushte jetese më të mira.

Megjithatë zhvendosja në vend tjetër ka pasur sfidat e saj. 9 kanë hasur në sfida financiare, 4 në sfida të gjuhës, 3 në mospranim nga popullsia vendase, 2 në sfida burokratike dhe 4 në sfida të tjera.

Pavarësisht sfidave, shumica (15) u deklaruan si shumë të kënaqur me jetesën në vendin ku janë shpërngulur kundrejt 7 të tjerëve të cilët u shprehën si pak të kënaqur me jetesën atje ku janë shpërngulur.

Nga 22 të rinj që kanë braktisur vendin, vetëm 6 mendojnë të rikthehen në RMV-së, 16 të tjerë nuk mendojnë të kthehen.

Nga gjithsej 134 të anketuarit, 98 mendojnë se është bërë trend largimi i të rinjve nga RMV-ja, ndërsa 36 të tjerë mendojnë të kundërtën.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Jo aq e vështirë shpërngulja sa qëndrimi në RMV”

Të rinjtë e anketuar ndanë me Portalb.mk edhe përvojën e tyre gjatë zhvendosjes dhe sfidat. Po përcjellim disa nga përgjigjet.

“Askush nuk do dëshironte të linte familjen, shtëpinë e vendin ku rritesh mirëpo kushtet e jetesës (nuk ka të bëjë gjithmonë me kushtet ekonomike), nuk të lënë tjetër zgjidhje. Jam përshtatur shumë shpejt, në vendet e jashtme ke mundësi më shumë, kurse sa i përket vendit tonë po s ‘pate ndonjë shkollë e njoftësi nuk të hanë as qentë”.

“Aspak e rëndë, europianët janë mikpritës të shkëlqyer”.

“Zhvendosja ishte sfidë e rëndë dhe kërkonte shumë angazhime, shumë për tu adaptuar me një rreth të ri, në veçanti për të mësuar gjuhë të re”.

“Ishte shumë e rëndë të lësh familjen dhe të ikësh për në kurbet, po nuk kemi çfarë të bëjmë kështu ishin kushtet në RMV”.

“Jo aq e vështirë shpërngulja sa qëndrimi në Maqedoninë e Veriut. Sfida të njëpasnjëshme, mikpritje nuk mund të themi se kemi pasur”.

“Kemi hasur që në fillim, ende vazhdojmë që kemi vështirësi nga popullsia vendase, më shumë për arsye të fesë dhe kombit që i përkasim”

“Shumë më thjeshtë në Gjermani se sa në RMV”.

“Malli për familjen ta këputë shpirtin. Rrethi më ka pranuar lehtësisht, njerëz të dashur këtu ku banoj. Problem i vetëm gjuha gjermane, por anglishtja më ka ndihmuar”.

Aeroporti i Shkupit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Aeroporti i Shkupit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Në RMV mbijetojmë, nuk jetojmë”

Të rinjtë të cilët u shprehën se nuk kanë migruar nga vendi, por që kanë në plan të largohen, treguan më hollësisht detajet se pse duan ta bëjnë këtë. Shëndetësia, politika, korrupsioni, arsimi, papunësia, standardi jetësor janë vetëm disa nga arsyet se pse të rinjtë duan të largohen nga vendi. Ja disa nga përgjigjet e tyre:

“Kohëve të fundin jemi bërë viktima të ndërprerjes së kontratave të punës, ku rrjedhat e rrethanat e fundit politike na kanë demotivuar dhe lënë rrugëve pikërisht punëtorëve më të dëshmuar që kemi dhënë mundin më të madh t’i ruajmë po ato pozicione pune që na janë ofruar e besuar qoftë edhe kontrata pune me paga tejet të ulëta. Andaj më së miri mbetet të provojmë t’ia japim mungesën këtij vendi në mënyrë që të vlerësohemi diku larg për vlerat që posedojmë, ndoshta pikërisht atëherë do duartrokitemi për arritjet tona”.

“Korrupsioni, uzurpimi i vendeve të punës nga persona të cilët nuk janë adekuat. Presioni që të bëhet për një vend pune, për vota kanë punësuar persona të paaftë nëpër pozicione si arsimi dhe shëndetësia, për këtë shkak këtu nuk mund të ketë të ardhme të sigurt për fëmijët tanë”.

“Kushte mizore në vendin e punës, mobing, kushte jetësore, politizim i arsimit, shëndetësia e gjithçka tjetër.

“Mënyra se si funksionon shteti, shëndetësia është -100, shërbime publike katastrofë, çmimet jashtëzakonisht të larta të produkteve në krahasim me pagat – mezi ja dalim në fund të muajit, politizim i skajshëm i institucioneve, korrupsion, gjyqësor skandaloz, infrastrukturë tepër e dobët, me pak fjalë këtu po mbijetojmë se nuk jetojmë”.

Të dhënat e ESHS-së shqetësuese

Derisa stacionet a autobusëve dhe aeroportet janë plotë me të rinj që largohen nga vendi, të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave nga baza e të dhënave Makstat të cilat i analizoi Portalb.mk thonë se nga viti 2014 deri më 2023 nga Maqedonia e Veriut janë larguar 3,353 të rinj nga mosha (15-34). Siç shihet nga shifrat, numri i atyre që largohen është ndjeshëm në rritje nga viti 2019 e këndej

Megjithatë ky numër besohet të jetë shumë herë më i lartë.

Problemin me migrimin e të rinjve të RMV-së e thekson edhe raporti “Migrimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, profili i shtetit 2021” nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk
Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk

“Guri i rëndë peshon në vendin e vet, por jo në RMV”

Portalb.mk bisedoi edhe nga afër me disa të rinj, edhe ata mendojnë të largohen nga vendi.

Adhurim Asani thotë se çdo ditë e më shumë po e braktisin vendin, për shkak të mungesës së punës, standardit të ulët të jetesës, çmimet e larta të energjisë elektrike, shportës familjare, mungesës së kushteve elementare për të rinjtë, rrogave minimale dhe mesatare të pa mjaftueshme për të mbijetuar dhe jetuar me dinjitet në RMV-së.

“Në përgjithësi ka mungesë të perspektives në çdo lëmi. Shëndetësia dhe arsimi pavarësisht se duhet te jenë primare për një shtet, nuk i kushtohet aspak rëndësi dhe nuk bëhen investime të nevojshme. Po ashtu frika e krijuar nga te ardhurat e ulëta dhe pasiguria e punës na bëjnë që ne të rinjtë të kërkojmë shpresë dhe alternativ në vendet më të zhvilluara. Maqedonia nuk është aq shpresëdhënëse, dhe nëse nuk merren masa qe tani për të rregulluar sistemin arsimor dhe të shëndetësisë, nuk rritet paga minimale ngjashëm si në shtetet evropiane, nuk ulen çmimet e energjisë elektrike dhe ato të ushqimeve bazë, nuk ofrohen kushte më të mira për gjeneratat e reja çdo i ri do të largohet”, tha Asani.

Leonora Myrtezani, e cila tani më tre vite e ka braktisur vendin thotë se nuk mendon të kthehet në RMV.

“Rrjetet sociale po ndikojnë shumë në largimin tonë nga vendi, sepse ne të rinjtë po e shohim se si e kanë jetën atje, dhe se si kushtet i kanë bë që nga mosha 20 vjeçare. Unë gati tre vite jetoj në Evropë dhe kurrë nuk mendoj të kthehem në Maqedoni, sepse ende nuk kemi as kushte elementare, dhe nuk mund të gjesh një punë pa pasur ndonjë familjar të kyçur në politikë”, tha Myrtezani.

Nga pesë fëmijë, asnjë në RMV

Nexhmedin Isufi është prind i pesë fëmijëve, të gjithë kanë braktisur vendin për një jetë më të mirë, Ai për Portalb.mk tregoi se malli për fëmijët është një boshllëk që nuk mbushet lehtë.

“Ne të moshuarit tani kemi më shumë nevojë për ta dhe nga mos prezenca e tyre, zëri i tyre në shtëpi dhe momentet e përditshme që ndanim së bashku po më mungojnë shumë. Si prind përpiqem të jem i fortë dhe të gjej ngushëllim në telefonatat dhe mesazhet e tyre, por nuk është e njëjta gjë si të jesh pranë tyre, t’i përqafosh dhe t’i shohësh me sytë e tu. E di që emigrimi është një zgjedhje e vështirë për ta por nga njëra anë ata kanë qenë të detyruar që të largohen nga vendi për një jetë më të mirë, sepse këtu ardhmëri nuk ka”, tha Isufi, i cili shpreson që një ditë në RMV të bëhet më mirë.

Organizatat rinore: Papunësia një nga shkaqet kryesore të ikjes

Enis Miftari kryetar i organizatës Center for Youth Education and Mediation (CYEM) në Gostivar tregoi se shumë të rinj largohen nga vendi për shkak të kushteve të vështira ekonomike që përballen çdo ditë.

“Papunësia e lartë dhe mungesa e mundësive për punësim të mirë paguar i detyron ata të kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit. Vendimi për të emigruar është një zgjedhje e bërë nga dëshira për një jetë më të mirë dhe më të sigurt financiarisht. Situata e vështirë ekonomike, mungesa e stabilitetit dhe rritja e kostove të jetesës krijojnë një klimë të pashpresë për zhvillim dhe përparim personal dhe profesional brenda vendit. Faktorët e tjerë që ndikojnë në këtë emigrim masiv janë korrupsioni dhe mungesa e zbatimit të ligjit”, tha Miftari.

Enis Miftai kryetar i organizatës Center for Youth Education and Mediation (CYEM) në Gostivar. Foto e dërguar nga Enis Miftari.
Enis Miftai kryetar i organizatës Center for Youth Education and Mediation (CYEM) në Gostivar. Foto e dërguar nga Enis Miftari.

Sociologët: Pasiguri dhe humbje e besimit në institucione

Biseduam edhe me dy sociologët Ali Pajaziti dhe Drita Memeti, të cilët janë edhe profesorë universitarë, që njëkohësisht janë në kontakt të vazhdueshëm me të rinjtë.

Pajaziti zhotë se nëse vazhdon trendi i ikjes së të rinjve apo shpërnguljes së trurit, Maqedonia e Veriut do të shndërrohet në një “shkretinë demografike”.

“Në kategorinë e parë janë ekonomia në krizë, papunësia, politikat partitocentriste, gjyqësia jo fuksionale, shkelja mbi meritorkracinë, pasiguria, mjekësia në komë, klima defetiste gjithë shoqërore (“ky vend s’bëhet, s’ka shpëtim pos ikjes”, imazhi i “deleve”, ku e para, të gjitha pas asaj). Si faktorë tërheqës janë rroga më e lartë, siguria ekonomike, ashensori social funksional (më i miri arrin më së larti), mundësitë më të mëdha për vetë realizim, kultura më e lartë në shumicën e sferave sociale (nga ekologjia deri në trafik) e të tjera. Si faktor që më së shumti i largon popullatën rinore prej këtu është “dhuna mentale” që ushtrohet nga prijësit politikë qendrorë dhe lokalë që avancojnë poltronët dhe jo më të mirët, krimi ekonomik që afirmon financiarisht hajdutët dhe që krijon bosë me çorapë palarët e dikurshëm, që nxënësit/studentët e gjeneratave i shpërfill ose i injoron në mënyrën më të pacipë dhe kështu i kthen vlerat mbrapsht, me kokën teposhtë”, tha Pajaziti.

Ali Pajaziti, foto nga Portalb.mk
Ali Pajaziti, foto nga Portalb.mk

Memeti theksoi se për shkak të punësimeve të bazuara në nepotizëm, miqësi dhe klientelizëm, mungesës së meritokracisë dhe mungesës së perspektivës, të rinjtë punë kërkues humbasin besimin në institucionet e vendit dhe zgjedhin të largohen nga ky vend.

“Rinia është një periudhë e hapur ndaj ndryshimeve dhe të ardhmes. Gjatë kësaj faze jetësore individët kanë mundësi që të përmirësojnë jetën e tyre duke ndjekur kështu një mundësi më të mirë të arsimimit apo punësimi, për të lënë pas një sistem ku nuk ndihen të sigurt dhe ku e drejta dhe liria e tyre nuk merret gjithmonë parasysh. Në rast se RMV-ja për pos hartimit të strategjive të migrimit nuk do të ndërmerr hapa konkret në ndryshimin e kushteve të jetesës, trendi i migrimit i të rinjve nuk do të ndaloj dhe shteti do të përballet me plakjen së popullsisë, rënien e natalitetit si dhe ikjen e trurit”, tha Memeti.

Drita Memeti (sociologe), foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)
Drita Memeti (sociologe), foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)

“Plan për kthimin e rinisë”

Maqedonia e Veriut deri në qershor të këtij viti kishte Agjencinë për Rini dhe Sport, e cila u shfuqizua në qershor të këtij viti, ku pjesa e rinisë kaloi në ministrinë e re për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Për ikjen e të rinjve, Portalb.mk bisedoi me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, i cili nuk është edhe aq i ri në moshë, Fatmir Limanin. Ai tha se janë duke hartuar një plan për kthimin e të rinjve në vendlindjen e tyre dhe duke u ofruar kushte të favorshme.

“Kemi ndërmarrë një analizë të thelluar mbi largimin masiv të të rinjve nga vendi. Gjatë kësaj analize, kemi hasur në raste të shumta ku të rinjtë profesionistë kanë konkurruar për pozita në institucione, por për shkak të praktikave të mëparshme, ku partitë politike në pushtetet e kaluara kanë favorizuar militantët partiakë, këta profesionistë nuk janë marrë parasysh. Kjo ka sjellë një humbje të besimit tek institucionet dhe për pasojë shumë të rinj kanë vendosur të kërkojnë mundësi jashtë vendit. Ne jemi të angazhuar të ndryshojmë këtë situatë dhe të rikthejmë besimin e të rinjve tek institucionet tona”, tha Limani.

Fatmir Limani, Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Foto nga arkivi i tij personal.
Fatmir Limani, Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Foto nga arkivi i tij personal.

Ndryshe, shoqëria civile por edhe komuniteti ndërkombëtar ka kohë që po alarmon për këtë problem, megjithatë institucionet shtetërore vazhdojnë të qëndrojnë duarkryq ndaj këtij problemi.