Konventa Nacionale BE-RMV: Vetëm me të dhëna cilësore dhe transparente duke u reformuar RMV mund të kyçet në BE

Forcimi institucional i sistemeve të grumbullimit dhe analizës së të dhënave në sektorin publik, integrimi i treguesve për sundimin e ligjit dhe kontrollin e korrupsionit në strategjitë shtetërore, si dhe futja e transparencës së detyrueshme të të gjitha institucioneve shtetërore përmes publikimit të të dhënave në një format të hapur, zhvillimi i programit për edukimin për menaxhimin e të dhënave në sektorin publik dhe promovimi i portaleve për të dhëna të hapura me vizualizim të përmirësuar për analiza analitike dhe krahasuese, janë draft rekomandimet nga diskutimi i fundit i Konventës Nacionale e BE-së në RMV. Të dhënat e besueshme dhe cilësore janë thelbësore për realizimin e duhur të reformave të nevojshme për BE-në ishte një nga konkluzionet kryesore, transmeton Portalb.mk.

Në hyrje, Mileva Gjurovska, koordinatore nacionale e KNBE-MK dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut theksoi se statistikat janë të besueshme aq sa kanë besimin e publikut dhe institucioneve.

“Nuk është rastësi që Kapitulli 18-Statistikat është në grupin 1-Vlerat themelore. Parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit nuk është sfidë vetëm për Klasterin 1, por parakusht themelor për të gjithë procesin e integrimeve evropiane të vendit tonë”, tha Gjurovska.

Anita Angelovska Bezhoska , guvernatore e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi se bankat qendrore nuk janë vetëm shfrytëzues të të dhënave statistikore, por edhe prodhues të të dhënave statistikore.

“Bankat qendrore janë një nga zinxhirët kyç në çdo sistem statistikor. Nuk ka dyshim se statistikat e mira janë parakusht për vendime dhe politika të mira, që u mundësojnë bankave qendrore të akordojnë një politikë të mirë monetare dhe financiare. Ndërsa ekonomitë evoluojnë, duhet të evoluojnë edhe statistikat”, tha guvernatorja, duke shtuar se Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh për përmirësimin e procesit të informimit dhe komunikimit me publikun.

Foto: NKEU-MK
Foto: NKEU-MK

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dejan Stankov, beson se misioni i këtij institucioni është të prodhojë të dhëna të sakta, relevante dhe objektive për publikun. Sipas Stankov, statistikat zyrtare janë instrument kyç për transparencë dhe llogaridhënie të politikave publike.

Ne jemi dëshmitarë të shpërthimit të informacionit. Në një epokë të mediave sociale dhe statistikave alternative, të dhëna të besueshme nevojiten më shumë se kurrë. Enti Shtetëror i Statistikës është i orientuar drejt promovimit të vazhdueshëm dhe forcimit të kapaciteteve të tij”, tha Stankov.

Në hyrje të tij, Mojmir Mrak, profesor dhe mbajtës i katedrës Jean Monnet në Njësinë Akademike për Para dhe Financa në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Lubjanës, shpjegoi procesin e përshtatjes së sistemit slloven sipas atij evropian, duke theksuar se në këtë procesi i zbatimit të reformave është i një rëndësie vendimtare.

“Statistikat e mira janë infrastrukturë për zhvillim normal ekonomik dhe social të çdo vendi. Statistikat janë bazë për një rregullim të mirë. Nëse vendi nuk mund të përmbushë kushtet e komisionit evropian, paratë nuk vijnë në vend. Nëse dëshiron të bësh reforma, duhet të kesh tregues të mirë dhe për këtë duhen të dhëna. Prandaj të dhënat janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha Mrak.

Maj Ericsson Gother , konsulent në projektin “Forcimi i kapaciteteve për prodhimin e statistikave në përputhje me nevojat e përdoruesve dhe kërkesat e BE-së”, theksoi se të dhënat statistikore luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e shtetit. Sipas Ericsson Gother, është e nevojshme që autoritetet statistikore të jenë të pavarura nga organet e tjera politike, rregullatore dhe menaxhuese, si dhe nga operatorët privatë, në mënyrë që të sigurohet besueshmëria e të dhënave statistikore dhe burimet e duhura.

Dragan Tevdovski, ekspert i KNBE-MK dhe profesor në Fakultetin Ekonomik në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, theksoi se nëse duam të ulim korrupsionin, institucionet duhet të jenë plotësisht të hapura për publikun dhe të gjitha marrëveshjet dhe anekset të publikohen nga Byroja për prokurime publike. Një nga masat më të forta kundër korrupsionit, tha Tevdovski, është publikimi i bilancit të konsoliduar të sektorit publik, ndërsa një nga mekanizmat kryesorë për luftimin e ekonomisë joformale është ndalimi i pagesave me para në dorë.

Foto: NKEU-MK
Foto: NKEU-MK

Tevdovski foli edhe për nevojën e publikimit të pasqyrave vjetore tatimore siç është rasti me Finlandën.

Joana Maxhoska, ekonomiste në Bankën Botërore mendon se nuk mund të kemi politika të mira ekonomike pa të dhëna të mira makroekonomike. Ajo tha se në drejtim të qeverisjes së mirë është i domosdoshëm depolitizimi i sektorit publik, zëvendësimi i punësimeve politike me ato profesionale, si dhe fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve dhe dixhitalizimi.

Kryetari i “Transparency International Maqedoni”, Bllagoja Pandovski ka shpjeguar rolin e kësaj OJQ-je në luftimin e korrupsionit, duke shtuar se korrupsioni shpeshherë nuk po ndiqet nga tërë zinxhiri i institucioneve përgjegjëse për të.

Të pranishmit theksuan rolin e të dhënave relevante dhe të sakta si parakusht për sigurimin e rritjes dhe zhvillimit të shtetit, por edhe vendimtar në procesin e realizimit të politikave publike dhe marrjen e vendimeve të drejta nga qytetarët.

Debati u organizua nga Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të projektit Konventa Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (NKEU-MK).

Ndryshe, kur bëhet fjalë për transparencën institucionale, të dhënat e fundit të Antikorrupsionit tregojnë pasqyrë dëshpëruese. Plotë 826 institucione nuk i kanë dorëzuar informacionet e duhura në Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit. Kjo ngre alarmin për mungesë serioze të transparencës dhe mund të interpretohet si përpjekje për fshirjen e parregullsive të mundshme, thuhet në raporti. Edhe pse në bazë të Kodit Zgjedhor, nëse subjektet nuk dorëzojnë të dhënat e kërkuara, KSHPK-ja është e detyruar të fillojë procedimin penal brenda 15 ditëve nga data e afatit për dorëzimin e të dhënave, megjithatë, në Kodin Zgjedhor nuk ka sanksione kundërvajtëse për mosplotësimin e formularit të parashikuar, për çka KShPK nuk ka mundësi të ngrejë procedim kundërvajtës mbi këtë bazë. Edhe pse kanë kërkuar ndryshime që do t’i mundësonte ndjekje penale, propozimi i tyre nuk është pranuar.