Rikthehet shfaqja ‘’Vdekja dhe virgjëresha’’ në Teatrin Shqiptar të Shkupit

Sonte (22 maj), në orën 20:00 do të rishfaqet “Vdekja dhe virgjëresha”, ose siç vjen në përkthim tjetër edhe si “Vdekja dhe vasha” nga dramaturgu Ariel Dorfman. Shfaqja është punuar nga regjisorja Afërdita Nuhiji me kastën e Teatrit Shqiptar të Shkupit, njofton Portalb.mk

Shfaqja pati premierën në shtatorin e vitit të kaluar, ndërsa është dhënë reprizë disa herë.

Role kryesore: Aida Elezi në rolin e Paulinës, Fisnik Zeqiri në rolin e Gerardo Eskobarit, Hamdi Rashidi në rolin e Roberto Mirandos, në shfaqje luajnë dhe Sabina Memishi, Abedin Alimi që janë sinonim i kapërcimit kohor.

Në shoqërim instrumental vjen violonçelistja Gresa Memeti, skenografi të Enes Dearit, kostumografi të Emira Ymerit si dhe muzikë nga Xhemail Xhemaili.

Fotografi të marra nga Teatri i Shkupit me rastin e premierës së shfaqjes shfaqjes ‘’Vdekja dhe virgjëresha’’
Fotografi të marra nga Teatri i Shkupit me rastin e premierës së shfaqjes shfaqjes ‘’Vdekja dhe virgjëresha’’

Rreth tekstit
Vendndodhja e shfaqjes me tre personazhe është një vend që përfaqëson Kilin, por që edhe regjisorja Afërdita Nuhiji thotë se e ka lënë të hapur.

“Nuk e kam lëvizur tematikën, ngjarja ndodhë në Kili por e kam lënë të hapur në shfaqje për ta gjykuar publiku”, thekson për lexuesit e Portalb.mk.

E konsideruar si shfaqja më e rëndësishme e Dorfman-it, ajo ka si temë qendrore sfidat e panumërta me të cilat përballet një komb që përpiqet të kthehet në stabilitet pas diktaturës. Ndërsa mbahej rob nga qeveria në pushtet, ish e burgosura politike Paulina Salas u përdhunua nga një mjek. Ajo kurrë nuk e pa fytyrën e tij, por mban mend një detaj, gjatë aktit të përdhunimit ai e luajti kuartetin e Shubertit “Vdekja dhe virgjëresha” nga e cila drama merr titullin.

Fotografi të marra nga Teatri i Shkupit me rastin e premierës së shfaqjes shfaqjes ‘’Vdekja dhe virgjëresha’’
Fotografi të marra nga Teatri i Shkupit me rastin e premierës së shfaqjes shfaqjes ‘’Vdekja dhe virgjëresha’’

Paulina mes dy botëve të kundërta: mes ligjit dhe krimit.
Ngjarja zë fill kur Paulina dhe bashkëshorti i saj, Geraldo Escobar kanë një problem me makinën që u prishet natën. Një i huaj që kalon aty- pari i cili quhet Roberto Miranda u ofron ndihmë duke u ofruar t’i çojë në shtëpi. Geraldo pranon ofertën dhe si shenjë mirënjohjeje ndaj ndihmës i ofron Robertos një dhomë në të cilën të kalojë natën. Paulina, kur dëgjon zërin e burrit që i vjen i njohur fillon e dyshon se ky person është në fakt mjeku nga i cili u përdhunua dhe u torturua pasi ishte rrëmbyer dhe burgosur nga policia sekrete pesëmbëdhjetë vjet më parë. Paulina vendos të marr hak ndaj mjekut sadist duke qenë e bindur se ky ishte njeriu më mizor në aktin e përdhunimit, por ndesh me burrin avokat, shumë prodemokrat i cili përpiqet ta bind të heq dorë derisa Paulina e mban të dyshuarin nën kërcënimin e armës. Burri i Paulinës është caktuar nga shteti në një komision hetimor për krimet e komunizmit pikërisht kur gruaja e tij Paulina ballafaqohet me të kaluarën dhe është rasti i parë ku sprovohet Geraldo i cili nuk di anën e kujt të mbaj.

Fotografi të marra nga Teatri i Shkupit me rastin e premierës së shfaqjes shfaqjes ‘’Vdekja dhe virgjëresha’’
Fotografi të marra nga Teatri i Shkupit me rastin e premierës së shfaqjes shfaqjes ‘’Vdekja dhe virgjëresha’’

Një dramë e thellë psikologjike, me dhunime, persekutime dhe plot metafora e simbolika.

Roberto zotohet se nuk e ka takuar kurrë Paulinën më parë dhe se është i pafajshëm për akuzat për të cilat ajo e akuzon. Ndërsa ajo ende mban armën në kokën e Robertos, një pasqyrë gjigante ulet në skenë dhe njerëzit në publik shohin veten në pasqyrë dhe kuptojnë vrasësit e vërtetë në sisteme të tilla diktatoriale.
Vërejtje: Shfaqja nuk rekomandohet për persona më të rinj se 16 vjeç.