Ballkanasit sipas John Fraserit (II)

John Foster Fraseri (1868 – 1936), në librin Pamje nga Ballkani (1906), shkroi edhe për veçantitë e bullgarëve, serbëve, turqve, por edhe për Maqedoninë.

Bullgarët i përshkroi si një popull i heshtur, spiritual, por pa shije. Ata aq shumë interesoheshin për atdheun, sa çdonjëri ishte një politikan.

Ata kishin më shumë rivalitet me grekët, veçanërisht në planin fetar. Kisha bullgare dhe greke ishin në armiqësi të përhershme.  Por kishte rivalitet edhe për Maqedoninë, e cila, sipas Fraserit, duhej të bëhej shtet i pavarur dhe “këtë duhej ta dinin Bullgaria, Serbia, Greqia dhe Rumania”. Vetëm një konfederatë ballkanike mund të sillte prosperitet në Ballkan…

Fraseri i përshkroi serbët si popull i kënaqur, kursimtarë, punëtorë, origjinal dhe emocional, që dashuronin e urrenin skajshmërisht. Ata ishin popull me vetëdije fshatare. E urrenin jetën urbane, nuk i duronin vitrinat e dyqaneve, dritat elektrike dhe zhurmën e makinave. Qytetet më shumë u ngjanin fshatrave me rrugë të gjëra, shtëpi njëkatëshe, por pa orendi. Aty nuk kishte arritur qytetërimi dhe sallat e muzikës, kurse argëtimi kryesor ishin ceremonitë fetare.

Sipas tij, ata ishin “relikt i epokës mesjetare”, që më shumë sesa për Londrën, Nju Jorkun e Parisin, dëshironin të dëgjonin histori zanash. Në vend se t’i lexonin gazetat, pëlqenin që t’i dëgjonin pleqtë teksa rrëfenin histori për serbët e vrarë në Kosovë gjatë luftës me turqit.

Serbët nuk donin të punonin në fabrikë, sepse e quanin shfrytëzim. Ata më shumë e çmonin bujqësinë.

Fshatarët ishin të organizuar në bashkësi, kurse fshati i ngjante një familjeje të madhe që drejtohej nga më plaku. Ai ishte udhëzuesi dhe sundimtari që vendoste se kur duhej të martohej një burrë apo grua. Derisa në Europë prindërit donin t’i martonin fëmijët sa më parë, në Serbi martesa shtyhej, sepse vajzat ishin punëtore të shkallës së parë në bujqësi.

Serbia ishte monarki, kurse një votë në parlament mund të blihej me 12 monedha. Ajo kishte gjykata qarku, por vrasësit shpesh vriteshin në vendin e krimit. Taksat ishin të ulëta, kurse gjobat mund të paguheshin me disa ditë punë për shtetin. Arsimi ishte falas, nga fillorja deri në universitet. Në Serbi ishin shumë të popullarizuar priftërinjtë, por serbët nuk shkonin shumë në kishë. Ata besonin edhe në besëtytni. Mbanin hudhra për ta dëbuar djallin.

Turqit “ishin padronët e Ballkanit”. Kjo shprehje dëgjohej shpesh në Europë. Ata, sipas botëshikimit europian, ishin të paaftë për qeverisje, qenie të papastra dhe sensuale, por ky ishte “imazh imagjinar për turkun”. Ai nuk ishte shenjtor, por myslimani i rëndomtë ishte po aq i moralshëm sa i krishteri i rëndomtë, madje kishte “krishterim të vërtetë” në shumë vende myslimane.

Fraseri i përshkroi turqit si njerëz zemërgjerë, mikpritës, të pastër, respektues të fesë, të devotshëm, dinjitozë dhe me këndvështrim tjetër për botën e për jetën në krahasim me europianët.

Turku nuk ishte asimiluar dhe as nuk do të asimilohej prej të krishterëve, sepse ndjehej superior karshi tyre.

Fataliteti i turqve, sipas Fraserit, ishin: kësmeti, bigamia, pozita inferiore e gruas dhe administrata që vepronte sipas formulës: avash, avash.

Sulltan Abdylhamitin ai e përshkroi si udhëheqës shkurtpamës, pa arsimim të lartë intelektual, kokëfortë, dyshimtar, që nuk bindej se europianët kishin qëllime të mira. Në fakt edhe nuk kishin.

Sipas Fraserit ekzistonin dy Turqi: njëra e klasës zyrtare dhe tjetra e popullit. Turqia kishte parti përparimtare dhe qeveri konservatore. Çdokush që e dëshironte ndryshimin përplasej me klasën zyrtare. Partitë përparimtare e dinin që Turqia s’mund të ishte pjesë e Europës pa qenë në pajtim me vlerat e saj.

Fraseri i hodhi poshtë pohimet se shtypja e të krishterëve ishte pasojë e myslimanëve. Zyrtari Murad Beu, mendonte se të krishterët jetonin mirë dhe qetë para se të shfaqeshin agjentët e konsullatave.

Edhe pse europianët dëshironin që Turqia të dëbohej nga Europa, megjithatë “ajo ishte në Europë dhe e zotëronte një pjesë të madhe të saj”

Maqedonia, sipas Fraserit, ishte mollë sherri në Europë. Ky vend i brishtë, me rivalitete, intriga dhe raca të shumta, mund të pushtohej shumë lehtë. Popujt aty jetonin në miqësi derisa politika nuk nxiste ambicie dhe xhelozi mes tyre. Greqia pretendonte se banorët e Maqedonisë ishin grekë, Serbia i quante serbë, sipas Bullgarisë ata ishin bullgarë. Nuk mungonin as pretendimet rumune.

Fraseri mendonte se dëbimi i Turqisë nga Ballkani do ta përshpejtonte luftën në Europë, sepse Maqedonia do të bëhej zonë interesi për shumë shtete.

Fraseri edhe pse pretendoi të paraqiste një imazh sa më real të Ballkanit, megjithatë, si shumë autorë të kësaj periudhe, shpesh shkroi për një Ballkan imagjinar.

Nga librat e kësaj periudhe ne mund të krijojmë një ide më të qartë për perceptimet që kishin autorët europianë për rajonin dhe popujt që jetonin aty. (Fund)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.