Revizoni konstatoi mbrojtje dhe mbështetje të pamjaftueshme për viktimat e dhunës në familje në RMV

Masat dhe aktivitetet e institucioneve nuk ofrojnë mbështetje, mbrojtje dhe riintegrim efektiv të grave viktima të dhunës në familje, tregon raporti i fundit i Entit Shtetërore të Revizionit (ESHR). Sipas analizës, sistemi i mbrojtjes është ende i zhvilluar në mënyrë të pamjaftueshme, dhe shifrat për viktimat dhe autorët e krimeve mbeten alarmante. Në vitin 2023, burrat kishin dhjetë herë më shumë gjasa të ishin autorë të krimeve që lidhen me dhunën në familje, ndërsa gratë kishin katër herë më shumë gjasa të ishin viktima, transmeton Portalb.mk.

Ata thonë se megjithëse në vitin 2023 Kodi Penal u harmonizua me Konventën e Stambollit dhe u futën dënime më të rrepta për dhunën, mbeten sfida serioze, siç janë kriminalizimi i pamjaftueshëm i dhunës psikologjike, varësia e procedurave nga propozimi i viktimës, mungesa e stafit në qendrat e punës sociale dhe një sistem i parregulluar licencimi për linjat SOS dhe shërbimet e specializuara.

Në periudhën 2020 deri në 2023, u regjistruan 6,282 viktima të reja të dhunës në familje, me një rritje të lehtë gjatë viteve. Përveç kësaj, nga një total prej 52 aktivitetesh të parashikuara nga Plani i veprimit për zbatimin e konventës së stambollit, vetëm 22 janë zbatuar plotësisht, ndërsa 30 aktivitete mbeten të paplota ose nuk janë zbatuar fare.

“Ne kemi përcaktuar se për periudhën pas vitit 2023, nuk është miratuar një Strategji kombëtare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna, dhe as nuk janë miratuar të gjitha aktet nënligjore të parashikuara nga Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, thonë nga ESHR.

Revizioni tregoi se numri dhe shpërndarja e strehimoreve dhe qendrave të këshillimit nuk i përmbushin standardet e Konventës. Në vend të 184 shtretërve të kërkuar në strehimore, ka vetëm 67, disa prej të cilave nuk janë më në funksion. Nga 19 qendrat e këshillimit të kërkuara, 11 janë krijuar, dhe në rajone të veçanta nuk ka asnjë.

“Riorganizimi i planifikuar nuk është kryer në Qendrat për Punë Sociale për shkak të mungesës së një analize funksionale dhe procedurave të standardizuara, dhe ato po përballen me mungesë stafi. Përveç kësaj, disa nga shoqatat që ofrojnë shërbime të specializuara nuk janë të licencuara, dhe nuk ka një sistem të organizuar për licencimin e linjave SOS”, thonë ata.

Auditi paralajmëron se pas skadimit të planit në vitin 2023, nuk është miratuar Strategji e re Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna, as të gjitha aktet nënligjore të nevojshme, gjë që vë në pikëpyetje zbatimin e plotë të Konventës.

Për më tepër, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, në periudhën pesëvjeçare nga viti 2018 deri në vitin 2023, janë kryer 6,242 krime që lidhen me dhunën në familje, nga të cilat 61 përqind ishin për dëmtime trupore, 35 përqind për rrezikim të sigurisë. Kishte 6,423 autorë të regjistruar, nga të cilët 91 përqind ishin burra, dhe 6,663 viktima, nga të cilat 79 përqind ishin gra. Në të njëjtën periudhë, u regjistruan gjithashtu 2,347 kundërvajtje, me numër pothuajse të barabartë grash dhe burrash si viktima.

“Të dhënat tregojnë një raport të vazhdueshëm dhe të pandryshuar në të cilin burrat janë autorët kryesorë të dhunës, dhe gratë janë dukshëm më shpesh viktima, gjë që tregon efektivitet të pamjaftueshëm të masave aktuale parandaluese dhe mbrojtëse. Numri i autorëve meshkuj të krimeve është 9 deri në 11 herë më i lartë se numri i grave”, përfundon ESHR.

Kujtojmë se paraprakisht, nga analizat e bëra mbi implementimin e rregullimit ligjor dhe nënligjor që lidhet me Regjistrin Qendror të Popullsisë, Enti Shtetëror për Revizion konstatoi se mungojnë mekanizma për verifikimin e cilësisë standardizuese të të dhënave në burimet e të dhënave, si dhe mungesa e Rregullores për standardet dhe rregullat e sigurisë së sistemeve informative që përdoren në organet për komunikim elektronik. Ekziston edhe mospërputhje në lidhje me kërkesat për integrimin dhe sinkronizimin në kohë reale të të dhënave nga burimet.