Revizioni: Mungesa e stafit dhe procedurave rrezikon cilësinë e të dhënave në Regjistrin Qendror të Popullsisë në RMV
Nga analizat e bëra mbi implementimin e rregullimit ligjor dhe nënligjor që lidhet me Regjistrin Qendror të Popullsisë, Enti Shtetëror për Revizion konstatoi se mungojnë mekanizma për verifikimin e cilësisë standardizuese të të dhënave në burimet e të dhënave, si dhe mungesa e Rregullores për standardet dhe rregullat e sigurisë së sistemeve informative që përdoren në organet për komunikim elektronik. Ekziston edhe mospërputhje në lidhje me kërkesat për integrimin dhe sinkronizimin në kohë reale të të dhënave nga burimet, transmeton Portalb.mk.
“Gjithashtu, Regjistri i personave juridikë që kanë qasje në RQP nuk përmban të dhëna të plota për personat juridikë. Përdorimi i të dhënave nga RQP është i mundur vetëm nëpërmjet Platformës për Interoperabilitet, ndërsa institucionet dhe subjektet detyrohen të sigurojnë përputhje me standardet teknologjike për të përdorur të dhënat nga RQP. Megjithëse organet e administratës shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe organet e tjera shtetërore të themeluara sipas Kushtetutës dhe ligjit, të cilat ofrojnë shërbime për realizimin e të drejtave dhe detyrave me interes për nevojat e popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, janë të detyruara të përdorin të dhënat nga Regjistri vetëm për qëllim të realizimit të kompetencave të tyre të përcaktuara ligjërisht ose për qëllim të kryerjes së aktivitetit për të cilin janë të regjistruar dhe kanë të drejtë aksesi në të dhënat nga RQP-ja, vetëm 52 institucione dhe 11 kompani private janë të lidhura me Platformën për Interoperabilitet, gjë që tregon për zbatim të kufizuar të sistemit dhe shfrytëzim të pamjaftueshëm të kapaciteteve të tij. Analiza e personave juridikë të lidhura me Platformën për Interoperabilitet tregoi se institucionet shtetërore në një përqindje dukshëm më të ulët përdorin të dhënat nga RQP, vetëm 13,46%, në krahasim me kompanitë private, tek të cilat ky përqindje arrin në 36,36%”, thuhet në raportin e ESHR-së.
Revizioni kreu analizën e raporteve të paraqitura për të dhënat e marra nga RQP, ku u konstatua që nga themelimi i regjistrit janë realizuar gjithsej 19.769.806 thirrje, nga të cilat 44.261 ishin të dështuara. Përqindja e suksesit të thirrjeve arrin në 99,78%, gjë që tregon për funksionalitet teknik të qëndrueshëm të sistemit.
“Regjistri i publikuar i organeve kompetente dhe subjekteve të tjera që përdorin të dhëna nga RQP në faqen web të Ministrisë së Transformimit Digjital, përmban një evidencë të paplotë të të dhënave për këto subjekte juridike, si dhe për të dhënat për të cilat qytetarët kanë leje hyrjeje. Këto gjendje nuk janë në përputhje me kompetencat e përcaktuara ligjërisht të institucioneve, gjë që mund të cenojë mbrojtjen e të dhënave personale dhe të ulë besimin në institucionet. Në pjesën e sigurisë së të dhënave personale në RQP dhe burimet e të dhënave, u konstatua se mungojnë kontrolle sistematike për shkëmbimin e të dhënave midis institucioneve që do të pengonin shfrytëzimin e mëvonshëm të të dhënave pa kaluar nëpër RQP. Gjithashtu, mungojnë procedura të shkruara për dhënien e qasjes për subjektet juridike që përdorin të dhënat, si dhe mekanizma kontrolli për verifikimin e standardeve minimale të sigurisë administrative të sistemeve në burimet e të dhënave. Me revizion është konstatuar se ekziston një numër i pamjaftueshëm i punonjësve të angazhuar për kryerjen e aktiviteteve për realizimin e detyrave në më shumë sektorë dhe departamente, si dhe mungesa e drejtuesve në njësi organizative kyçe. Për më tepër, nuk janë përcaktuar pozita të ndjeshme pune në aktin e sistematizimit të vendeve të punës në Ministrinë për transformim dixhital, ndërsa mungojnë edhe procedurat për aktivitetet lidhur me funksionimin e RQP-së nga MSHIA-ja dhe MTD-ja. Për të kapërcyer gjendjet e konstatuara, janë dhënë rekomandime me qëllim marrjen e masave dhe aktiviteteve për përmirësimin e gjendjeve përmes forcimit të kapaciteteve njerëzore, futjes së procedurave të shkruara dhe udhëzuesve të shkruar, kontroleve sistemore për siguri dhe shkëmbimin e të dhënave, si dhe mbikëqyrjes automatike të mos-pajtueshmërive në bazat e të dhënave personale”, thuhet në raportin e ESHR-së..
Ligji për Regjistrin Qendror të Popullsisë rregullon menaxhimin e bazave individuale të të dhënave, si dhe hyrjen dhe përpunimin e të dhënave të përmbajtura në regjistër nga subjektet e tjera. Këto të dhëna i referohen të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe të dhënave për shtetasit e huaj me qëndrim të rregulluar mbi një vit. Në kuadër të revizionit të kryer u përfshinën dy fusha kyçe dhe ato: korniza ligjore dhe siguria e të dhënave personale në RQP dhe burimet e të dhënave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria për udhëheqjen e librave amë. Çdo burim i të dhënave është i detyruar të integrojë në RQP në kohë reale regjistrimin, ndryshimin ose fshirjen e kryer në bazën e të dhënave individuale, me një devijim prej 5 minutash nga koha e regjistrimit, ndryshimit ose fshirjes së kryer në mënyrë të rregullt. Nga analizat e bëra u konstatua se sinkronizimi i të dhënave midis burimeve me RQP bëhet në bazë ditore, gjë që lë mundësinë për ndryshime të shpeshta të të dhënave në burime gjatë 24 orëve pa sinkronizim me RQP. Një gjendje e tillë mundëson diferencat e mundshme të të dhënave midis të dhënave në RQP dhe të dhënave në burim, duke rritur kështu rrezikun që institucionet të përdorin dhe të përpunojnë të dhëna të papërditësuara për qytetarët.
Kujtojmë se paraprakisht, Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizionin e raporteve financiare së bashku me revizionin e pajtueshmërisë të Ndërmarrjes Publike për menaxhimin me pyjet shtetërore. Në raport janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mos-harmonizim në punën e ndërmarrjes publike dhe për shkak të rëndësisë së tyre është shprehur opinion i pavolitshëm për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2023 dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura.
Në një raport tjetër, Revizioni konstatoi akuapark të mbyllur, objekte jofunksionale, pajisje të rrënuara, mungesë kushtesh për ofrimin e shërbimeve shtesë në Shoqërinë për Ndërtim, Menaxhim dhe Dhënie me Qira të Sallës Shumëfunksionale “Boris Trajkovski” Shkup, për vitin 2023. Aktiviteti prioritar i kësaj kompanie është lidhja e marrëveshjeve të qirasë për hapësirën afariste që ka dhe gjenerimi i të ardhurave nga qiraja.