Revista franceze: Shqipëria, xhevahir i panjohur i Mesdheut

“Mirë se vini në Shqipëri, ky xhevahir mesdhetar i panjohur prej kohësh, i cili tani zbulon thesaret e tij për udhëtarët kureshtarë”, kështu e nis një reportazh për vendin tonë revista e njohur franceze VSD, raporton Klan.

“Me plazhet e saj të pacenuara, malet madhështore dhe historinë e pasur, Shqipëria është një destinacion që me siguri do t’ju befasojë” – u drejtohet gazeta lexuesve të saj. Në shkrim nënvizohet se ky vend magjepsës larg turmave turistike ofron një zhytje autentike në kulturën dhe traditat e tij. Nga fshatrat piktoreske deri te hotelet luksoze, Shqipëria premton një arratisje të paharrueshme duke kombinuar aventurën, relaksimin dhe zbulimin, thuhet në shkrim.

Revista nuk i kursen epitetet për natyrën shqiptare që sipas saj të lë pa frymë. Plazhet e rivierës shqiptare rivalizojnë ato të destinacioneve të njohura, duke ofruar një vijë bregdetare me bukuri të papritur – thuhet në shkrim. Reportazhi veçon Parkun Kombëtar të Thethit që sipas tij zbulon peizazhe të denja për një kartolinë si dhe liqenin e Komanit. Por jo vetëm natyrë.

Në shkrim thuhet se Shqipëria është një muze i gjallë ku çdo rrugë, çdo zakon tregon një histori. Shqiptarët janë krenarë për trashëgiminë e tyre, e reflektuar në kuzhinën e tyre të shijshme. Shijoni byrekun ose rakinë e tyre vendase sugjeron autori që nuk lë pa përmendur edhe mikpritjen e ngrohtë të vendasve.