Rëndësia e fesë së kandidatëve në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Nëse kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara pyeten se cili është më fetar, shanset janë se ata do t’i referohen vetes së tyre, raporton VOA. Për disa pjesëmarrës, tubimet elektorale të ish Presidentit Donald Trump janë si shkuarja në kishë.

“Besimi tek Jezusi është shumë i rëndësishëm për mua. Dhe unë e di se kemi një udhëheqës, zotin Trump, i cili kur ishte president bëri një punë të shkëlqyer dhe ai do kthehet në detyrë dhe do të kthejë vlerat fetare në zyrë dhe në vendin tonë”, thotë Trey Mullins, mbështetës i zotit Trump.

Komentet e ish-presidentit për fenë pëlqehen nga amerikanët e besimit të krishterë dhe konservatorët.

“Ne do t’i mbrojmë të krishterët në shkollat tona, në ushtrinë tonë dhe në qeverinë tonë”, thotë ai.

“Bluza me mbishkrimin “Zoti, armët dhe Trump” është një nga bluzat e mia më të shitura në dy ose tre vitet e fundit”, thotë Thomas Isbell, shitës i bluzave dhe artikujve të tjerë.

Por zoti Trump nuk është një i krishterë tipik konservator. Ish Presidenti është divorcuar dy herë. Ai është akuzuar për falsifikim të të dhënave të biznesit lidhur me pagesat për të blerë heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, me të cilën dyshohet se ka patur marrëdhënie jashtëmartesore. Disa analistë thonë se zoti Trump po e përdor çështjen gjyqësore për të krahasuar veten me Jezusin, që të krishterët besojnë se u kryqëzua për mëkatet e botës.

“Zoti Trump e ka huazuar këtë gjuhë së fundmi. Ne e kemi parë atë duke thënë: “Unë jam duke u paditur për ju”, thotë Robert P. Jones nga Instituti i Studimeve Publike për Fenë.

Ai nuk shkon rregullisht në kishë, por në platformën e tij “Truth Social”, reklamoi një Bibël për shitje.

Një anketë e agjencisë së lajmeve Associated Press tregoi se 8 nga 10 të krishterë evangjelistë të bardhë votuan për zotin Trump në zgjedhjet e fundit presidenciale. Një sondazh i Qendrës Kërkimore “Pew” këtë vit tregoi se protestantët afrikano-amerikanë mbështetën zotin Biden.

Presidenti Joe Biden rregullisht merr pjesë në meshat katolike në Delauer dhe në Uashington.

Mbështetësit e tij e respektojnë këtë.

“Ai ka studiuar në një shkollë të mesme katolike vetëm për djem dhe është mjaft serioz për fenë e tij”, thotë Peter Sullivan, vullnetar i ekipit të fushatës së zotit Biden.

Presidenti Biden dhe zonja e parë u takuan me Papën në Vatikan në vitin 2021. Papa Françesku i tha zotit Biden, presidentit të dytë katolik të Shteteve të Bashkuara, se ai mund të vazhdojë të marrë Kungimin e Shenjtë, pavarësisht pikëpamjeve të tij për abortin.

Qëndrimi i zotit Biden në mbështetje të abortit është kritikuar nga disa katolikë. Në fakt, sondazhet nga zgjedhjet e fundit treguan se katolikët ishin të ndarë mes zotit Trump dhe zotit Biden.

“Aborti është çështja kryesore. Është e neveritshme të shikosh zotin Biden, duke thënë se është katolik dhe nuk mbështet qytetarët e vendit tonë, që ende nuk kanë lindur”, thotë votuesja Aura Strietmann.

Kur Biden flet për fenë, ai flet me një ton gjithëpërfshirës.

“Një mesazh universal shprese, gëzimi dashurie nëse je i krishterë, hebre, hindu, mysliman, budist, i ndonjë besimi tjetër apo pa besim fare. Ai na flet të gjithëve si qenie njerëzore që jemi këtu në këtë tokë kryesisht për t’u kujdesur për njëri-tjetrin”, tha Presidenti Biden në Mëngjesin e Lutjeve në vitin 2023.

Në përgjithësi, Presidenti Biden e praktikon besimin e tij tradicionalisht, ndërsa zoti Trump sugjeron se Zoti është i pranishëm në jetën e tij.