Rekomandojnë vaksinim kundër Covid-19, por në RMV nuk ka vaksina

Numri i rasteve me Covid-19 është në rritje në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse një nga rekomandimet kryesore të Komisionit për Sëmundje Infektive është që personat me sëmundje kronike dhe personat mbi 65 vjeç të vaksinohen kundër Covid-19, në poliklinikat në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup nuk ka vakcina, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk iu drejtua poliklinikav Bukuresht në Karposh, Bit Pazar dhe në Çair, ku morëm të njëjtën përgjigje: “nuk kemi vaksina, nuk mund të vaksinoheni”.

Kjo po ndodh edhe pse zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Dr. Zllate Mehmedoviq para disa ditëve pas mbledhjes së anëtarëve të Komisionit, tha se duhet të vaksinohen të gjithë personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike, pasi janë të rrezikuar.

“Për momentin, situata me Covid-19 nuk është alarmante në vendin tonë dhe nuk ka vend për panik te qytetarët. Të vaksinohen të gjithë personat që janë mbi 65 vjeç dhe kanë sëmundje kronike, ata janë në rrezik të shtuar të zhvillimit formës të rëndë të sëmundjes ose të kenë përfundim fatal”, tha Mehmedoviq.

Meta.mk ka bisedoi edhe me doktor Nikolla Panovskin, i cili vlerësoi se është absurde të rekomandohet që popullata të vaksinohet, ndërsa në objektet shëndetësore nuk ka vaksina.

“Personat mbi 60 vjeç duhet të marrin vaksinën. Por si mund të rekomandohet vaksinimi, kur autoritetet nuk i kanë porositur vaksinat? Duhet të merret një qëndrim, në çfarë kushtesh dhe kush duhet të marrë dozë të re, pastaj për kë duhet të jetë falas e kështu me radhë”, tha Panovski.

Në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në rubrikën “Masat e rekomanduara për parandalim dhe kontroll”, thuhet se vaksinimi është masë specifike parandaluese që siguron mbrojtje nga format e rënda të sëmundjes.

“Rekomandohet respektimi i masave për parandalimin e Covid-19 dhe sëmundjeve tjera infektive të frymëmarrjes. Vaksinimi mbetet masë specifike parandaluese që siguron mbrojtje kundër formave të rënda të sëmundjes, megjithëse ky efekt mbrojtës zvogëlohet me kalimin e kohës. Mbetet rekomandimi për vaksinimin e personave me rrezik të lartë të sëmundjes së rëndë dhe rezultateve të dobëta (si p.sh. të moshuarit)”, thuhet në raport.

Në lidhje me temën e Covid-it, e cila po bëhet më aktuale këtë periudhë për shkak të shtimit të rasteve të reja, Meta.mk iu drejtua edhe Ministrisë së Shëndetësisë. Ne pyetëm nëse ka teste PCR në objektet e shëndetit publik, nëse ka mjaft vaksina në institucionet shëndetësore publike dhe nga cilët prodhues janë ato, sa rivaksinime nevojiten për të siguruar mbrojtjen kundër Covid-19, si dhe sa njerëz janë vaksinuar në muajin e fundit. Por nga Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigjën.

Në muajin e fundit, korrik 2024, është regjistruar dhjetëfish i rasteve krahasuar me muajin paraprak. Për 18 ditë në gusht janë regjistruar 489 të sëmurë.

Në vetëm një javë, gjithsej 608 materiale u testuan në laboratorët që kryejnë testimin molekular dhe testimin e antigjenit për praninë e SARS-CoV-2, gjatë të cilave u regjistruan 271 raste të reja pozitive. Kjo është, siç thonë nga atje, një rritje prej 60.4 përqind krahasuar me javën e kaluar.