Rasti “Durmo”, ekspertët e superekspertizës avokatit të shoferit: 10 herë po e bëni të njëjtën pyetje që të na hutoni
Për të katërtën seancë radhazi është duke u pyetur Zekirja Zekiri, eksperti i cili është pjesë e ekipit i cili e ka përgatitur superekspertizën makinerike për autobusin e aksidentuar të “Durmo Turs”. Lupço Micevski, avokati i shoferit të autobusit Manoil Trifunovski, ka vazhduar me parashtrimin e pyetjeve, shumica e të cilave nuk janë të pranueshme për avokatët e “Durmos”, njofton Portalb.mk.
“A vlerësoni se do të kishte qenë mirë që gjatë përgatitjes së kësaj ekspertize të bëni kontroll në stacionin teknik AS Gostivar dhe ta kontrollonit dhe sistemin Makar për kontroll të frenave?”, pyeti avokati Micevski, Zekirin, ndaj të cilës reagoi avokatja e të akuzuarit të dytë, Ruzha Tomeska, duke paraqitur ankesë se pyetja është parashtruar njëherë.
Gjykata e refuzoi pyetjen, megjithatë ndërhy eksperti i ekipit, Ivan Gjokovski, duke sqaruar se kanë vizituar stacion teknik, por jo atë në Gostivar, ku është bërë kontrolli teknik i autobusit të aksidentuar.
“Ne kemi shkuar të shohim se si bëhet kontrolli teknik i një autobusi, por s’jemi inspektorë që të kontrollojmë se si ka punuar stacioni”, tha Gjokovski, ndaj të cilit reagoi prokurori, Darko Jakimovski, duke i thënë se “nuk e kanë shkruar askund se kanë qenë për vizitë në ndonjë stacion teknik”.
“Kemi bërë kontroll në stacion teknik në Shkup që të shohim se si bëhet kontrolli dhe të krahasoet”, ndërhy Zekiri.
Për çështjen në fjalë kërkoi fjalë edhe eksperti Damjan Mirçevski, i cili tha se kanë vizituar një stacion teknik për t’u njohur me procedurën e jo për t’i kontrolluar pajisjet apo automjetet.
“Ne s’kemi bërë kontroll as të sistemeve e as të automjeteve. Neve na interesonte procedura, për atë s’e kemi vendosur në ekspertizë”, tha Mirçevski duke shpjeguar se kanë bërë edhe vizita tjera në vende tjera përkatëse si për shembull servise të automjeteve.
Avokati Micevski vazhdoi me pyetje tjera, për Zekirin nëse ai personalisht e ka provuar timonin, por edhe rezervoarin e hidraulikut.
Megjithatë, avokatët e “Durmos” reaguan duke theksuar se këto pyetje janë parashtruar dhe se vetëm po humbet kohë.
Megjithatë, Zekiri u përgjigj duke thënë se “nuk i ka kontrolluar, pasi që kolegët e tij i kanë kontrolluar dhe se disa rrethana i ka kontrolluar një pjesë e ekipit, e disa të tjera, i ka kontrolluar pjesa tjetër e ekipit”.
Micevski i nxori një fotografi të timonit të autobusit nga ekspertiza, duke i thënë Zekirit nëse mund të thotë se timoni është i lakuar në anën e djathtë për 90 gradë ose përafërsisht.
Zekiri e shikoi fotografinë dhe tha që po ashtu është.
Megjithatë, kolegu i tij e demantoi duke thënë se “timoni nga aksidenti shihet se është i dëmtuar dhe s’mund të kuptohet nëse është i lakuar nga ana e majtë ose e djathtë”.
Në pyetjen nëse i ka kontrolluar disqet për frenim, Zekiri tha se “nuk i kujtohet”.
Avokatët e “Durmos” reaguan duke theksuar se avokati po vazhdon të pyet për çështje të cilat janë përgjigjur ekspertët.
Për çka, prokurori ndërhyu duke i thënë gjykatëses se “pyetjet po bëhen për të parë kohezionin e ekipit, gjegjësisht nëse ekspertizën e ka bërë tërë ekipi apo njëri.
“E pamë se kemi përgjigje diametralisht të kundërta për timonin, njëri tha po, tjetri tha jo”, tha prokurori Jakimovski.
Gjykatësja Diana Gruevskia Ilievska, theksoi se ekspertët janë thirru si ekip dhe jo si individë dhe si të tillë duhet të trajtohen.
Avokati, sot sërish e shtroi çështjen e pyetjeve paraprake, në lidhje me videon e kontrollit teknik të autobusit.
“Njëri thotë e ka parë videon, tjetri thotë se ka parë. A mund të dilni këtu dhe të thoni e keni parë apo s’e keni parë videon e kontrollit teknik?”, i pyeti avokati ekspertët.
Eksperti Mirçevski theksoi para gjykatëses se “avokati Micevski po tenton që ta hutojë ekspertin tanimë disa seanca duke përdorur teza të ndryshme”.
“10 herë e bëni të njëjtën pyetje që të merrni tjetër përgjigje, atë, tjetër kund bëjeni”, i tha Mirçevski, duke shtuar se kanë dhënë përgjigje dhe janë procesverbalet ku mund të shihen.
“Në çfarë duket kjo”, i tha avokati Micevski gjykatëses Gruevska–Ilievska, duke u ankuar për sjelljen e Mirçevskit.
Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit, ndërkaq familjarët e viktimave, vlerësojnë se deklaratat e Zekirit nuk janë të qëndrueshme dhe se ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët kanë qëndruar pranë tij.
Nga seancat paraprake ku ka dëshmuar Zekiri:
- LEXO: Tension në seancën e “Durmos”, ekspertët e superekspertizës ankohen se po keqtrajtohen nga avokati i shoferit të autobusit
- LEXO: Eksperti Zekiri edhe sot para gjykatës, avokatët e “Durmos” akuzojnë avokatin e shoferit për zvarritje
- LEXO: Eksperti Zekiri erdhi në seancën për “Llaskarcën”, mohoi se dikush ka ndikuar tek ai për superekspertizën
Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.
Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.
Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.
“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.
GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.