Rama e quan joevropiane dhe të paarsyeshme veton e Greqisë ndaj Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur joevropiane dhe të paarsyeshme veton që ka vendosur Greqia ndaj hapjes së kapitujve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, raporton Koha.

Greqia e ka kushtëzuar Shqipërinë që ta lejojë Fredi Belerin ta kryejë betimin si kryetar i Himarës. Beleri është në paraburgim në Shqipëri, pasi dyshohet për blerje votash.

“Kjo pengesë është e paarsyeshme, jo vetëm por edhe joevropiane në frymë dhe natyrisht rastet dhe historitë kanë qenë më shumë se sa 1 e 2 dhe nuk është rastësi që të gjitha këto raste vijnë nga zona e Ballkanit. Dhe nëse nuk do gjendet një rrugë për të ndarë njëherë e mirë çështjet dypalëshe nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshirë në këtë proces në rajonin tonë mund ta parashikojmë pa vështirësi se sa probleme mund të nxjerrim rrugës mes njëra-tjetrës aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, të natyrës krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE”, tha Rama në konferencë për media.

Rama tha se çështja me Greqinë duhet të zgjidhet mes dy vendeve, teksa theksoi se fqinjin jugor e konsideron partner strategjik.

“Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh dhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që sa na takon si Shqipëri nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë, që është partner strategjik i Shqipërisë”, tha Rama.

Rama shprehu bindjen se Shqipëria do të bëhet Evropa e Ballkanit, dhe jo një vend ballkanik në BE.

E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po ashtu ka komentuar çështjen mes Shqipërisë e Greqisë.

“Në çdo takim ndërkombëtar që kam pasur është vlerësuar jashtëzakonisht shumë Shqipëria për punën që ka bërë dhe është folur jashtëzakonisht shumë për profesionalizmin e treguar nga ekipi shqiptar. Çuditërisht ndodh si puna e studentit që pedagogu i thotë gjatë gjithë vitit është i shkëlqyer, ke punuar shumë mirë, dhe te nota e fundit e ngel në klasë”, tha Begaj.

Begaj thotë se procesi i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit është investim gjeostrategjik, ndërsa për Shqipërinë anëtarësimi në Bashkimin Evropian është jetik dhe strategjik.