Qendra e Ohrit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare në OSBE

Maqedonia e Veriut sot ka prezantuar nismën për themelimin e Qendrës së Ohrit për paqe dhe ndërmjetësim në kuadër të Misionit të OSBE-së, transmeton Portalb.mk.

“Të krijojmë një Qendër për Paqe dhe Ndërmjetësim, e cila në thelb do të jetë entiteti ynë nacional por nën kujdesin dhe ombrellën e OSBE-së, e cila do të punojë në kërkime, trajnime dhe shkëmbim përvojash në lidhje me zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve”, deklaroi ministri i punëve të jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.

Ai vlerësoi që kjo Qendër do të jetë shenjë dalluese e partneritet ndërmjet OSBE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ideja është që të shfrytëzohen përvojat vendase dhe shembujt e suksesshëm që Qendra e Ohrit të bëhet rajonale por edhe një “qendër” në të gjithë rajonin e OSBE-së për kërkime, analiza, ndërmjetësim dhe rekomandime politike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve. Qendra do të ofrojë këshilla, trajnime, politika dhe shërbime specifike për ndërmjetësimin dhe mbështetjen e proceseve të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që mund të jenë të natyrës së brendshme ose ndërshtetërore.”, tha Osmani.

Ata theksojnë edhe ndërmjetësimin në raportet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në Ohër.

“Planifikohet që Qendra e Ohrit të jetë mjet shtesë në kutinë e veglave të Organizatës që do të ketë zhvillim gradual, që do të thotë se do të fillojë me një ekip të vogël, i cili më pas do të forcohet me synimin që në të ardhmen të rritet në një qendër më të madhe në rajonin e OSBE-së”, raportoi Ministria.