Putin: Luftimet do të ndalen vetëm kur trupat ukrainase të tërhiqen nga Donbasi 

Vladimir Putini e përsëriti kërkesën e tij kryesore për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke deklaruar se Rusia do t’i ndalojë luftimet vetëm nëse forcat ukrainase tërhiqen nga territori që Moska e konsideron si të vetin. Prej kohësh, Putini kërkon që të ketë njohje ligjore të territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, përfshirë Krimenë dhe rajonet lindore Luhansk e Donjeck, të cilat Moska ende nuk i kontrollon plotësisht, transmeton Portalb.mk.  

Pas deklaratave të Putinit në Kirgistan, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se Rusia po i refuzon përpjekjet reale për përfundimin e luftës. Putini, nga ana tjetër, e akuzoi Kievin se është i gatshëm “të luftojë deri te ukrainasi i fundit”, duke shtuar se Rusia është e përgatitur për këtë skenar. 

Ai theksoi se forcat ruse aktualisht kanë iniciativën në front dhe se luftimet do të ndalen vetëm kur trupat ukrainase të tërhiqen nga Donbasi. 

“Nëse nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcë,” tha Putini. 

Forcat ruse po bëjnë përparim të ngadalshëm në Ukrainën lindore, duke pësuar humbje të mëdha, dhe Instituti për Studimin e Luftës vlerëson se me këtë ritëm Rusisë do t’i duhen më shumë se dy vjet për të marrë nën kontroll të gjithë Donbasin. 

Javën e ardhshme, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff pritet të udhëtojë në Moskë për bisedime rreth planit amerikan të paqes, i cili fillimisht parashikonte që Ukraina t’ia dorëzonte të gjithë Donbasin Rusisë. Plani ndërkohë është rishikuar për shkak të kritikave se ishte tepër në favor të Rusisë. 

Putini tha se Rusia ende nuk e ka marrë zyrtarisht draftin e ri të planit, por se ai mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje të ardhshme paqësore. 

“Megjithatë, është absolutisht e nevojshme të diskutohen disa pika,” theksoi Putini. 

I pyetur nëse Krimea dhe Donbasi mund të njiheshin si territor de facto rus, por jo juridikisht, Putini u përgjigj: 

“Kjo është një nga pikat që diskutojmë me kolegët amerikanë.” 

Të mërkurën, Donald Trump deklaroi se kanë mbetur vetëm disa pika të pakonsoliduara mes Rusisë dhe Ukrainës. Putini, megjithatë, tha se çdo marrëveshje me autoritetet aktuale të Ukrainës do të ishte e pavlefshme, pasi sipas tij ato janë “jolegale”. Për shkak të gjendjes së luftës që nga viti 2022, Ukraina nuk ka qenë në gjendje të organizojë zgjedhje sipas kushtetutës.