Parlamenti Evropian: Rrjetet sociale duhet të ndalohen për fëmijët nën moshën 16-vjeçare
Eurodeputetët, me shumicë të madhe votash, miratuan një rezolutë që kërkon vendosjen e kufizimeve të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale. Edhe pse rezoluta nuk ka fuqi detyruese ligjore, ajo i nxit qeveritë evropiane të ndërmarrin masa konkrete, në një kohë të rritjes së shqetësimit se qasja e pakontrolluar në internet po e dëmton shëndetin mendor të fëmijëve. Komisioni Evropian tashmë po analizon modelin australian për ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç, i cili pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
Në shtator, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se do ta ndjekë me vëmendje zbatimin e politikës së Australisë. Ajo kritikoi “algoritmet që shfrytëzojnë cenueshmërinë e fëmijëve me qëllim të krijimit të varësisë” dhe theksoi se prindërit shpesh ndihen të pafuqishëm përballë “cunamit” të kompanive të mëdha teknologjike që depërtojnë në çdo shtëpi.
Von der Leyen premtoi se deri në fund të vitit do të krijohet një panel ekspertësh që do të propozojë qasjen më të mirë për mbrojtjen e fëmijëve.
Interesi për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale dhe telefonave të mençur nga fëmijët po rritet gjithnjë e më shumë në Evropë. Një raport ekspertësh, i porositur vitin e kaluar nga presidenti francez Emmanuel Macron, vlerëson se fëmijëve nuk duhet t’u lejohet përdorimi i telefonave të mençur para moshës 13 vjeç, ndërsa rrjetet sociale duhet të jenë të ndaluara deri në moshën 18 vjeç.