Punonjësit e kompanive degë të “Parqeve dhe Gjelbërimit” përsëri në protestë, s’kanë marrë paga për qershorin dhe korrikun
Pagat e papaguara për qershorin dhe korrikun ishin arsyeja pse punonjësit e “Florakom” dhe “Luna”, degë të Ndërmarrjes Publike Parqe dhe Gjelbërim, dolën sot në protestë tjetër, duke bllokuar Bulevardin Ilinden, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i SUTKOZ-it, sindikatës së punonjësve në gastronomi, turizëm, Stojançe Kashikovski, thotë se përpjekjet për të marrë pagat nga menaxhmenti i Parqeve dhe Gjelbërimit kanë qenë të pasuksesshme. Përveç kësaj, siç tha ai, punonjësit u përballën dje me presion nga menaxhmenti i kompanisë për të mos protestuar.
“Ne, si SUTKOZ, i cili është i vetmi sindikatë përfaqësuese për shërbimet komunale, do të paraqesim në gjykata kërkesa përkatëse, pra kallëzime penale dhe padi kundër drejtorit të ‘Parqeve dhe Gjelbërimit’ nga e hëna, sepse mospagesa e pagave dhe sigurimit shëndetësor të punonjësve në këto dy kompani dhe familjeve të tyre ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre”, tha Kashikovski.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se disa nga punonjësit e “Florakom” dhe “Luna” patën takim të shkurtër me drejtorin e “Parqeve dhe Gjelbërimit” të hënën, në të cilin u është thënë të jenë të duruar sepse nuk ka para.
“Nëse nesër nuk gjendet zgjidhje, pra nuk u paguhen pagat, punonjësit do të vendosin, dhe ne si Sindikatë, do të thërrasim në grevë solidariteti. Për të filluar, së pari do t’i thërrasim punonjësit e “Parqeve dhe Gjelbërimit” dhe do të vendosim se çfarë do të ndodhë më pas”, shtoi kryetari i i SUTKOZ.
Punonjësit e Florakom protestojnë që në fund të qershorit për shkak të pagave të papaguara për muajin qershor dhe përfitimeve të tjera. Ata deklaruan se nëse pagat e tyre për muajin qershor nuk paguhen deri më 22 korrik, do ta bllokojnë përsëri kryqëzimin. Ky afat është tejkaluar moti.