Punimet e pambaruara për bulevardin “Bllagoja Toska” rrezikojnë fëmijët, kompania arsyetohet, komuna e Tetovës hesht

Pavarësisht premtimeve të kreut të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami se punimet për vazhdimin e Bulevardit “Bllagoja Toska”, do të përfundonin brenda tre muajve, rruga ende nuk është përfunduar. Banorët e zonës kanë shprehur shqetësimin e tyre për shahtet dhe gropat e hapura në trotuare, të cilat siç thonë, përbëjnë rrezik për fëmijët. Kompania “Anrra Centrum”, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e kësaj rruge, thotë se mbi 75 përqind e trasesë është e përfunduar dhe se po bëhen përgatitjet e fundit për asfaltimin e saj, shkruan Portalb.mk. Edhe pse tha se do të ketë dënim për kompaninë në fjalë, tani Komuna e Tetovës hesht.

Punimet e bulevardit “Bllagoja Toska”, pjesë kjo që përfshin zonën nga rrethrrotullimi mbi Kazermën e qytetit deri në lagjen “Drenovec” në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, ishin paraparë të zgjasnin tre muaj, të përfundojnë pra në maj, që nga fillimi i tyre më 19 shkurt 2024, mirëpo të njëjtat nuk kanë mbaruar edhe pas këtij afati kohor.

Një qytetar i kësaj zone për Portalb.mk tha se siguria e fëmijëve që luajnë në këtë zonë është një shqetësim serioz pasi shahtet dhe gropat e hapura në trotuare janë të hapura.

“Ne, banorët e kësaj rruge, kemi hasur vështirësi që nga fillimi. Mendonim se do të përfundonte shpejt kjo rrugë, por nuk ndodhi kështu. Pluhuri që krijohet është një problem i madh dhe veturat kanë vështirësi të kalojnë. Më e rëndësishmja, siguria e fëmijëve që luajnë në këtë zonë është një shqetësim tjetër serioz, pasi shahtet dhe gropat e hapura në trotuare janë një rrezik i madh, dhe fëmijët rrezikojnë të bien në to”, thotë një qytetar që jeton në këtë pjesë të Bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë.

Një qytetar duke ecur në Bulevardin “Bllagoja Toska” në Tetovë, nga rrethrrotullimi mbi Kazermën e qytetit që del në lagjen “Drenovec” në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

Kurse një tjetër qytetar u shpreh ndryshe. Ai tha se edhe pse këto punime nuk kanë përfunduar në afatin e paraparë, përsëri paraqesin një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës së kësaj zone.

“Si banor i kësaj rruge, ne kemi pritur prej kohësh që kjo rrugë të rinovohet dhe të bëhet më funksionale. Më përpara në këtë pjesë ka pasur edhe deponi të vogla të bërllogut. Procesi mund të jetë pak i gjatë me disa sfida të përkohshme, si pluhuri, por ne jemi të kënaqur që më në fund po bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e kësaj rruge. ”, thotë një tjetër qytetar.

Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin “Bllagoja Toska” me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë në lagjen Drenovec. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

Portalb.mk e kontaktoi kompaninë “Anrra Centrume cila e fitoi tenderin për këtë rrugë  për të parë se cilat kanë qenë arsyet e vonesave, pasi punimet për këtë bulevard ishin paraparë të zgjasnin tre muaj.

Nga atje u arsyetuan se një pjesë e punëve ishin kryer, por si pasojë e reshjeve që kapluan rajonin e Tetovës është bërë dëmtimi i trasesë dhe e njetja pritet të sanohet.

“Pas sanimit të trasesë së dëmtuar do të bëhet asfaltimi i rrugës.”, thonë nga atje.

Të pyetur nga Portalb.mk se kur pritet të përfundojnë këto punime, nga kompania thanë se është kryer mbi 75 përqind e trasesë, dhe janë bërë pregaditjet e fundit për asfaltim.

“Punimet në bulevardin “Bllagoja Toska” janë duke vazhduar dhe janë bërë pregaditjet e fundit për asfaltim. Punimet do përfundojnë në momentin që do të marrim rrezultatet finale nga matjet paraprake”, thonë nga kjo kompani duke shtuar se “kemi hasur në probleme të natyrave të ndryshme, për shembull, me dislokimin shtyllave elektrike të cilat gjenden në trase. Është bërë kërkesë deri te EVN-ja për dislokim të tyre”.

Ndryshe, kur kohë më parë Portalb.mk e pyeti kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin se pse nuk ka përfunduar punimet në këtë rrugë, ai tha se për vonesën do të ketë sanksionoe kundrejt kompanisë në fjalë.

“Sigurisht që do të ketë sanksione. Ne kur e caktuam afatin ajo ishte në kuadër të dinamikës që e prezantoi kompania. Ne nuk kemi dashur që ta bëjmë problematike këtë çështje para zgjedhjeve por patjetër që çdo vonesë do duhet të ketë edhe reperkusione”, tha Kasami.

• LEXО: Kompania e shkeli afatin për asfaltimin e rrugës mbi Kazermën në Tetovë, Kasami paralajmëroi ndëshkim (Video)

Portalb.mk e pyeti sërisht Komunën e Tetovës për këtë çëshjte, por nga Komuna heshtin.

Ndërkaq, nga kompania thanë se “në kontrate janë paraparë të gjitha kushtet deri ne përfundimin e punimeve, duke marrë parasysh ndëshkimet dhe sanksionet e ndryshme për vonesa kur hasemi në pengesa të natyrës dhe për punë të paparashikuara.”

 

Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin “Bllagoja Toska” me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Foto: Enis Shaqiri/Portalb.mk

• LEXO: Vazhdimi i “Bllagoja Toskës” te Kazerma nuk u bë në 2023, Komuna e përzgjodhi kompaninë për kryerjen e punimeve

Kujtojmë se komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Ndërsa kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024. Kjo rrugë prej rreth 450 metrave është e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores. Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.
• LEXО: Pas pritjes me vite, filluan punimet për vazhdimin e “Bllagoja Toskës” nga Kazerma deri në lagjen Drenovec