Protestoi opozita, hedhje e bombave molotov drejt Bashkisë së Tiranës

Opozita, grupi i Rithemelimit dhe anëtarë të Partisë së Lirisë, kanë protestuar ditën e sotme para ambienteve të Bashkisë së Tiranës, raporton TopChannel. Kjo protestë vjen në vazhdën e së parës ditë më parë, teksa opozita kërkon largimin e Erion Veliajt nga drejtimi, pas arrestimit të tre ish-zyrtarëve të kësaj bashkie, të cilët po hetohen nga SPAK.

Në protestën e zhvilluar sot, përfaqësuesit e opozitës kanë hedhur sërish bomba molotov në afërsi të derës së bashkisë, e po ashtu kanë gjuajtur me mollë, bojë e sende të tjera. Po ashtu ata kanë tentuar që të thyejnë edhe kordonin metalik të vendosur nga policia, me qëllim që të futeshin brenda ambienteve të bashkisë.

Pas pamjeve të sipërpërmendura, kanë ardhur dhe disa reagime nga ndërkombëtarët, të cilët njëzëri kanë dënuar aktetet e dhunës.

Ambasada Amerikane në Tiranë u shpreh në reagimin e saj se SHBA dënon dhunën e ushtruar gjatë protestës, ndërsa theksohet se aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Pas Ambasadës Amerikane edhe ambasada britanike ka dënuar dhunën në protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës këtë të premte.

“Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada Britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”, shkruan ambasada britanike.

Ndërkohë delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë po ashtu ka dënuar dhunën, duke theksuar se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.

Për protestën dhe aktet e dhunës ka reaguar edhe Ambasada Italiane.

“Ambasada italiane në Tiranë dënon aktet e dhunës të kryera gjatë protestës së sotme para Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është themelore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve ose njerëzve nuk është në asnjë mënyrë e justifikueshme”, shkruan ambasada.

Po ashtu edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dënuar aktet e dhunës, teksa në një reagim publik shprehen: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës. Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo.