Protesta kundër mini hidrocentraleve në Kozhuf: Nuk dinim gjë deri sa nuk i pamë ekskavatorët

Qindra qytetarë të rajonit Juglindor, por edhe nga pjesë të tjera të vendit sot u grumbulluan në lokalitetin Smrdliva voda në Gjevgjeli në një protestë kundër ndërtimit të lajmëruar të dy mini hidrocentraleve në lumin Doshnica në malin Kozhuf. Iniciativat qytetare të këtij rajoni kërkojnë që të ruhet natyra dhe sipas tyre edhe lumi i fundit nga i cili mund të pihet uji, ndërsa koncesionet për objektet energjetike të shfuqizohen. Paralajmëruan se do të qëndrojnë në mal dhe do ta mbrojnë më mburojë njerëzore deri në tërheqjen e makinerive ndërtimore, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Në këtë protestë ato e lexuan edhe Deklaratën për shpëtimin e Kozhufit me të cilën porositën se presin nga autoritetet në dy muajt e ardhshëm të sjellin vendim për stopim të të gjithë aktiviteteve për ndërtimin e mini hidroelektranave “Paprad” dhe “Barov Doll” në lumin Doshnica, të iniciojnë procedurë që Kozhufi të shpallet park nacional, ndërsa degët e Ndërmarrjes Shtetërore të Pyjeve në Kavadar, Demir Kapi dhe Gjevgjeli të transformohen në një ndërmarrje publike qe do të menaxhojë me parkun nacional.

“Kërkojmë stopim të të gjithë aktiviteteve në lidhje me hidrocentralet e vogla në Doshnicë. Nuk do të lejojmë që kjo bukuri të përfundojë si lumenjtë e tjerë ku tashmë janë ndërtuar objekte të këtilla”, thotë Todor Stojanovski nga iniciativa “Shpëtim për Kozhufin-Doshnicën”.

Aktivistët thonë se nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e tyre, qytetarët vetë do ta mbrojnë malin, do ti bllokojnë të gjithë hyrjet në të dhe nuk do të lejojnë kurrfarë veprimtarish në mal.

Nga ana tjetër, ato janë të revoltuar edhe për faktin se për dy mini hidrocentralet kanë marrë vesh para më pak se një muaji, kur kanë ardhur ekskavatorët nëpër rrafshinat e malit. Deri tani asnjë nga autoritetet lokale nuk i ka informuar për investime të këtilla, nuk kanë dëgjuar për ndonjë diskutim publik, e as nuk janë takuar me ndonjë investitor.

“Makineritë ndërtimore ishin sinjali se diçka po ndodh, e pastaj kur pyetëm, nga njëri te tjetri, morëm vesh se prej në vitin 2020 Këshilli i Kavadarit e ka mbështetur këtë ndërtim, se ka pasur edhe Elaborat për ndikimin mbi mjedisin jetësor, e madje edhe janë sjellë edhe punëtorë dhe janë vendosur nëpër kapacitetet hotelierike lokale, por kjo është e dukshme se është mbajtur mirë në fshehtësi sepse është e pamundur të mos kemi marrë vesh asgjë deri tani”, thotë Stojanovski.

Ai thekson se ditët e kaluara kanë pasur edhe takim me ministren e mjedisit jetësor, Kaja Shukova, e cila u ka vënë në dukje se këto hidrocentrale kanë dokumentacion të kompletuar dhe se nëse u shkëputen kontratat do të paguhen penale. Për këtë, thotë ai, kanë angazhuar edhe një ekip avokatësh.

“Ndërtuan 100 hidrocentrale të vogla, këto dy në lumin Doshnica nuk kanë për t’i ndërtuar. Sa të ketë nevojë ne do të qëndrojmë në Kozhuf dhe me mburojë të gjallë do t’i kundërvihemi shkatërrimit të tij. Makineritë e oligarkëve nuk do ta prekin Kozhufin”, porositën sot aktivistët. Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski në fillim të kësaj jave tha se investitorët i kanë filluar procedurat për këto dy objekte para gjashtë-shtatë vitesh dhe tashmë është lëshuar edhe leja për hidrocentralet, por megjithatë do të kërkohet edhe mendim nga qytetarët.

“Pas kërkesës së popullatës që është kundër ndërtimit, ministrja e mjedisit jetësor i informoi ato se kjo procedurë është ndjekur me vite dhe është përfunduar në pajtim me procedurat ligjore. Dhe se shkëputja e kontratës domethënë pagesë e penaleve dhe dëmshpërblim i investitorëve, sepse ato kanë marrë leje konform ligjit, me procedurë të ndjekur në bazë të ligjit”, tha Kovaçevski, por shtoi se nuk e din se pse deri tani qytetarët nuk e kanë dhënë qëndrimin e tyre dhe se Qeveria do t’i dëgjojë.