Pronari i “Besa Trans”, Haxhiu: Unë s’jam marrë me dokumentet, shoferët dhe autobusët, por vëllai im

Vëllai im Bedriu ka qenë i obliguar nga unë për çështjet administrative apo të dokumenteve dhe komunikimin me shoferët dhe organizimin e autobusëve, ndërkaq unë më tepër kam qenë në terren nëpër udhëtime për aranzhim dhe turizëm. Kështu sot deklaroi para Gjykatës Penale të Shkupit, Bekim Haxhiu, pronar i kompanisë “Besa Trans”, autobusi i të cilit në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë u aksidentua dhe më pas u dogj, ku si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë u lënduan, raporton Portalb.mk.

Sipas akuzës, kompania “Besa Trans BTB” si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar, gjegjësisht me certifikatë të falsifikuar kanë kaluar kufirin e RMV-së.

Por, Haxhiu, në dëgjimin e sotëm pa gjykatës, disa herë mohoi se është fajtorë, duke theksuar se licencën nuk e ka falsifikuar, por edhe se ai nuk ka qenë përgjegjës në kompani për çështjen administrative të licencave dhe dokumenteve. Me këto punë, ai tha se është marrë vëllai i tij, Bedri Haxhiu, i cili nuk është i përfshirë në akuzën e Prokurorisë.

Avokati i Haxhiut, Asmir Alispahiq e pyeti atë nëse gjatë periudhës kritike ka udhëtuar shpesh dhe në çfarë vendesh. ”Po kam qenë në udhëtime për aranzhime, në terren, me njerëzit për punë, për turizëm”, tha Haxhiu.

Ju si pronar a keni pasur detyrë të kontaktoni me shoferët, pyeti Alispahiq, për çka Haxhiu tha se nuk ka pasur detyrë të flet me shoferët. Në pyetjen shtesë se kush ka pasur detyrë të kontaktojë me shoferët, ai tha se vëllai i tij, Bedri Haxhiu.

Bekim Haxhiu, tha se ai i ka poseduar të gjitha dokumentet e nevojshme për kryerjen e veprimtarisë dhe mohoi akuzën e Prokurorisë se ai ia ka dhënë certifikatën e licencës shoferit të autobusit i cili është aksidentuar. Ai gjithashtu tha se nuk është e vërtetë se certifikata nuk është e falsifikuar.

Me disa pyetje të kryqëzuara, vazhdoi prokurori Vlladimir Milloshevski, i cili fillimisht e pyeti nëse autobusi me targa SK0284BA (autobusi i aksidentuar në Bullgari) e ka blerë kompania për nevojat e kompanisë për transport brenda dhe jashtë shtetit, për çka mori përgjigje “po” nga Haxhiu.

Me këtë, a mund të konkludoj se të gjitha dokumentet i ka pasur ky autobus, përfshirë edhe certifikatën e licencës, vazhdoi me një sërë pyetjesh tjera prokurori Milloshevski, për çka Haxhiu vazhdoi të përgjigjet me “po”.

Prokurori më tej pyeti nëse certifikatën e licencës e jep Ministria e Transportit dhe në të shkruhet emri i drejtuesi të personit juridik.

“Po e lëshon Ministria e Transportit. Shkruan emri i drejtuesit, por mundet edhe me prokurorë të obligohet apo ta angazhohet dikë tjetër”, shtoi Haxhiu.

Në pyetje shtesë të avokatit Alsipahiq për Haxhiun në lidhje me pyetjet e prokurorit, Haxhiu tha se  vëllai i tij, Bedriu ka qenë i obliguar për administratë, dokumente, por edhe rreth organizimit të shoferëve dhe autobusëve.

Në pyetjen e avokatit nëse ai ka qenë i obliguar që t’i marrë të gjitha licencat dhe certifikatat nga Ministria, Haxhiut tha se “ai ka qenë i angazhuar që t’i udhëheqë të gjitha dokumentet për kompaninë”.

Ai madje tha se nuk ka qenë i njoftuar dhe askush nuk i lajmëruar asgjë se mungon ndonjë dokument, pasi që me këtë është marrë vëllai i tij.

Gjykatësi, Ivica Stefanovski iu drejtua me pyetjen se kush e ka angazhuar vëllain që t’i mbledh të gjitha dokumentet dhe licencat? “Unë e kam angazhuar”, ia ktheu Haxhiu gjykatësit.

“A e njihni punën e personit juridik, pra çështjen e transportit dhe a merreni me udhëheqjen e personit juridik (kompanisë)?”, vazhdoi me pyetjen e radhës gjykatësi Stefanovski.

“Po, por i kemi pasur të ndara, ai duhej me dokumente, licenca certifikata, për autobusë, unë isha në udhë për aranzhim, transport, t’i koordinoj…”, u përgjigj Haxhiu.

Në pyetjen e gjykatësit nëse ai e di se çdo autobus duhet ta ketë licencën e vet, Haxhiu tha se po e di.

Me këtë mbaroi procedura e diskutimit kryesor, më 17 janar palët pritet t’i japin fjalët përfundimtare.

Për çfarë akuzohet “Besa Trans” dhe pronari i saj?

Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.

Sipas Prokurorisë, me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.

Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona