Më 7 mars aktgjykimi për “Besa Trans”, prokurori dhe mbrojtja u përplasën nëse Haxhiu ka falsifikuar certifikatë licence

Autobusi i “Besa Trans” i cili në nëntor të vitit 2021 është aksidentuar në Bullgari nga territori i RMV-së ka dalë me certifikatë licence të falsifikuar dhe për këtë është përgjegjës kompania si subjekt juridik dhe pronari i saj Bekim Haxhiu, tha prokurori Vlladimir Milloshevski në fjalët e tij përfundimtare, të cilat, mbrojtja kategorikisht i hodhi poshtë duke theksuar se nuk bëhet fjalë për falsifikim, pasi që certifikata e licencës ka qenë origjinale, shkruan Portalb.mk.

Në Gjykatën Penale të Shkupit, me fjalët përfundimtare vazhdoi gjykimi për rastin “Besa Trans”, autobusi i të cilit në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë u aksidentua dhe më pas u dogj, ku si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë u lënduan.

Përfaqësuesi i akuzës, Vlladimir Milloshevski, para gjykatës tha se autobusi i cili është aksidentuar në Bullgari e ka kaluar kufirin me licencë të përgjithshme, në vend që me certifikatë licence të posaçme, ashtu siç parashihet me ligj.

“Sipas provave, autobusi e ka lëshuar territorin e RMV-së duke treguar në kufi licencë të përgjithshme, e cila ka të bëjë vetëm me funksionimin e subjektit”, tha prokurori, duke sqaruar se për transport ndërkombëtar nevojitet certifikatë licence për çdo autobus.

Se nuk ka pasur certifikatë licence, Milloshevski tha se e konfirmuan edhe nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Dua ta theksoj deklaratën e përfaqësuesit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, i cili tha se subjekti ka gjithsej 5 certifikata të licencave, por nuk ka pasur për autobusin me targa SK0284BA (autobusi i aksidentuar). Madje, as s’ka pasur kërkesë për të nxjerrë certifikatë të licencës. Mund të konkludojmë se i akuzuari e ka ditur se s’ka certifikatë licence. Në bazë të provave të prezantuara, autobusi ka dalë nga shteti me licencë të falsifikuar”, tha Milloshevski.

Ai tha se autobusi i ka pasur të përgatitura dokumentet prej paraprakisht në dosje, ndërkaq shoferët kur e kanë shfrytëzuar autobusin vetëm e kanë marrë dosjen me vete.

“Propozoj që i akuzuari dhe subjekti juridik të dënohen sipas nenit 39 dhe 32 të Kodit Penal”, përfundoi Milloshevski.

Pala mbrojtëse, mohon se Bekim Haxhiu ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, pasi sipas tyre, për të bërë falsifikim, duhet që të krijohet një dokument i rrejshëm, ose një dokument i vërtetë të korrigjohet dhe më pas të shfrytëzohet si i vërtetë.

“Akuza nuk mund të mbijetojë pasi sipas Prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën falsifikim. Në situatën konkrete nuk është konstatuar se bëhet fjalë për dokument të rrejshëm ose për përdorim të dokumentit të rrejshëm. Nëse do të kishte qenë certifikata e licencës e rrejshme, nuk do të mund ta kalonte autobusi pikën kufitare”, tha avokati Asmir Alispahiq.

Ai, insistoi disa herë në teorinë se i akuzuari as ka bërë dokument të rrejshëm, apo s’ka përdorur ndonjë dokument të rrejshëm.

“Pra, nuk e ka përgatitur, nuk e ka shfrytëzuar dhe nuk ua ka dhënë shoferëve për ta përdorur. Përfaqësuesi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve konfirmoi se certifikatat e licencave kanë qenë origjinale. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i Doganës tha se ka qenë gjithçka në rregull.

Vendimi i vetëm dhe i drejtë është që i akuzuari Bekim Haxhiu dhe subjekti “Besa Trans” të lirohen nga akuza”, tha Alispahiq.

Ai kërkoi që Gjykata t’i marrë parasysh provat dhe të japë vendim të drejtë, ndërkaq sipas tij, vendimi i vetëm i drejtë është që i akuzuari Bekim Haxhiu dhe subjekti juridik “Besa Trans” të shpallen të pafajshëm për veprën e ngarkuar.

Gjykatësi paralajmëroi se më 7 mars në ora 09 do të shpallet aktgjykimi për rastin në fjalë.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.

Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona