Produktet që kanë shënuar më së shumti rritje të çmimeve në bujqësinë e Maqedonisë së Veriut

Në Maqedoninë e Veriut në muajin gusht u regjistrua rritje e çmimeve të produkteve bujqësore për 15.6 përqind, derisa te disa produkte është regjistruar rritje akoma më e madhe, transmeton Portalb.mk.

“Indeksi i çmimeve në bujqësi gjatë muajit gusht të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë nga viti paraprak, tek inputi është zvogëluar për 2.0 %, ndërsa tek autputi vërehet rritje nga 15.6 %”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Për një vit, mjetet e shpenzuara për bujqësi kanë shënuar ulje për 2.6 %, ndërsa mjetet e dedikuara për investime në bujqësi ka shënuar rritje për 8 përqind. Rritje më e madhe ka pasur te frutat për 35.6 % dhe perimet për 23.3 %.

“Në pjesën autput, në gusht të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore është 117.6, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve shtazore është 111.1”, raportoi Enti.