BEI Globale jep grant me vlerë 1 milion euro, për të nxitur financimin e gjelbër për ndërmarrjet në Maqedoninë e Veriut

BEI Globale, dega e Bankës Evropiane të Investimeve për veprime jashtë Bashkimit Evropian, do t’i japë grant për asistencë teknike me vlerë 1 milion euro partnerit të saj të vjetër – Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut (DBNM). Këto fonde do të lehtësojnë zbatimin e financimeve për klimë dhe mjedis të qëndrueshëm në kuadër të një linje kreditimi prej 100 milionë eurosh që BEI nënshkroi në korrik të këtij viti. Duke mbështetur sektorin bankar të vendit në rritjen e kapaciteteve për financim të gjelbër dhe që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) të identifikojnë dhe zhvillojnë projekte të gjelbra, kjo mbështetje teknike do të kontribuojë në rritjen e sektorit privat, konkurrencën dhe tranzicionin e gjelbër të ekonomisë vendase.

Nëpërmjet kësaj asistence teknike, bankat tregtare dhe NVM-të do të përfitojnë trajnime dhe mbështetje këshilluese për nxitjen dhe zhvillimin e projekteve bankare në fusha të tilla si efikasiteti i energjisë dhe energjia e ripërtërishme.

Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, e cila është përgjegjëse për veprimet në Maqedoninë e Veriut, tha: “Rritja e aksesit në kapital të përballueshëm do t’u mundësojë NVM-ve të zgjerojnë bizneset e tyre edhe në kohë krize. Së bashku me qeverinë dhe DBNM-në, ne synojmë të krijojmë mundësi të reja për investime dhe punësim, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe dekarbonizimin e bizneseve vendase. Granti që nënshkruam sot do të mbështesë partnerët dhe përfituesit tanë që të zhvillojnë kapacitetin e tyre për financim të gjelbër dhe projektet e gjelbra, duke kontribuar kështu në qëndrueshmërinë klimatike në Maqedoninë e Veriut – e cila është kritike për rritjen ekonomike dhe stabilitetin.”

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me sukses, me Bankën Evropiane të Investimeve, me anë të së cilës janë disbursuar gjashtë linja kreditore, në vlerë totale prej 550 milionë eurosh, duke ofruar mbështetje për mbi 2000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

“Për të tejkaluar sfidat e krijuara nga kriza globale energjetike dhe ekonomike, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në veprimtarinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë masa për stimulimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duke mundësuar modalitete për nxitjen e procesit të prodhimit, sigurimin e likuiditetit të kompanive, ruajtjen e vendeve të punës, si dhe ruajtjen e pozicionit konkurrues të kompanive. Kështu, duke pasur parasysh përvojën e fituar dhe bashkëpunimin e suksesshëm me BEI-n, si dhe me qëllim përmbushjen e plotë të nevojave të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të prekura nga kriza, u sigurua linja e re e shtatë kreditore e BEI-t, në rangun e 100 milionë eurove. Si rezultat i efektit shumëfishues, 200 milionë euro do të vihen në dispozicion të kompanive, me kushte të favorshme, për të ruajtur likuiditetin e tyre dhe për të bërë investime të reja, veçanërisht të gjelbra”, tha ministri Besimi.

Granti vjen si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm midis DBNM-së dhe BEI Globale, e cila mundësoi ndarjen e 550 milionë eurove deri më sot për mbështetjen e mbi 2300 kompanive vendase. Vetëm që prej vitit 2019, BEI Globale ka dhënë 212 milionë euro në investime të BE-së për kompanitë maqedonase përmes këtij modeli partneriteti, duke mbështetur 46 000 vende pune dhe duke krijuar 1815 vende të reja pune.

Drejtori i përgjithshëm i Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut, Kire Naumov, tha: “Ky bashkëpunim i mëtejshëm midis BEI-t dhe DBNM-së vjen si vazhdimësi e marrëveshjes sonë më të fundit financiare të nënshkruar në korrik të këtij viti, duke i dhënë ekonomisë sonë vendase mbështetje financiare të sapomiratuar me vlerë 100 milionë euro, fonde që synojnë të nxisin tranzicionin drejt energjisë së gjelbër, në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Banka për Zhvillim vijon të luajë një rol aktiv në financimin e projekteve të përgjegjshme të gjelbra dhe të qëndrueshme dhe me këtë marrëveshje të fundit granti me vlerë 1 milion euro ne fillojmë me vendosmëri lehtësimin e trajnimeve dhe mbështetjen këshilluese të NVM-ve tona vendase për të qëndruar në rrugën e agjendës së gjelbër të BE-së. Energjia e ripërtërishme, rritja ekonomike dhe përgjegjësia sociale në kreditimin e korporatave mbeten në fokusin tonë të ndërsjellë.”

Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, David Geer, tha: “Linja e kreditimit të gjelbër e BEI-t është një shembull tjetër që tregon se si – si Team Europe – Bashkimi Evropian po vijon të mbështesë kompanitë e vogla dhe të mesme përmes investimeve në një ekonomi të gjelbër me karbon të ulët në Maqedoninë e Veriut. Falë një granti në formën e asistencës teknike, do të forcohen kapacitetet e Bankës për Zhvillim, si dhe të bankave tregtare vendase me qëllim nxitjen e investimeve të gjelbra. Përmes kësaj, Bashkimi Evropian, nëpërmjet BEI-sët, jo vetëm që po ndihmon në përparimin me tranzicionin e gjelbër në vend, por do të rrisë gjithashtu konkurrencën e kompanive vendase.

Banka kërkon të mobilizojë investime të mëtejshme për sektorin privat në kuadrin e lehtësirave më të fundit të garancisë së BE-së, në kuadër të Instrumentit të Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar – Evropa Globale (NDICI – Evropa Globale) me qëllim inkurajimin e investimeve të gjelbra, inovacionit dhe tranzicionit digjital në rajon.