Policia e Maqedonisë së Veriut me padi për qytetarët që e kërcënuan kryetarin e komunës

U arrestuan tre qytetarë nga Policia e Maqedonisë së Veriut si të dyshuar për kërcënim të kryetarit të Komunës së Gazi Babës. Ata dyshohen për “rrezikim i sigurisë”, vepër e dënueshme në bazë të nenit 144 nga Kodi Penal, transmeton Portalb.mk.

“Punonjësit e policisë kanë arrestuar S.M., F.M. dhe M.M. në lidhje me raportimin e kryetarit të Komunës së Gazi Babës, i cili më 11 shtator në SPB – Shkup raportoi se tre persona kanë kërcënuar me jetë atë për shkak rrënimit të një objekti pa leje”, raportoi Policia.

Policia vlerësoi që ndaj këtij rasti janë marrë masa të menjëhershme, ashtu që ndaj të arrestuarve është paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.

Ndryshe, kryetari Boban Stefkovski gjendjen e tij të sigurisë e ka shpalosur në fejsbuk, ndërsa theksoi që kjo situatë vjen pas aksionit të përbashkët me Ministrinë për Punë të Brendshme për prishjen e ndërtimeve pa leje.

“Periudhën e fundit deri te une janë drejtuar kërcënime direkte dhe indirekte për jetën dhe sigurinë time dhe të familjarëve. Prej dje mund të them se është në pikëpyetje siguria ime personale”, sqaroi Stefkovski.