Presidenti Pendarovski do të mbajë fjalim në Asamblenë e 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

Presidenti Stevo Pendarovski, sot – 22 shtator 2023, e premte, do të mbajë fjalim në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili mbahet me temën “Rindërtimi i besimit dhe rifillimi i solidaritetit global: Përshpejtimi i veprimit në agjendën 2030 dhe Objektivat e saj të Zhvillimit të Qëndrueshëm drejt paqes, prosperitetit, progresit dhe qëndrueshmërisë për të gjithë”, transmeton Portalb.mk.

Fjalimi i presidentit Pendarovski është caktuar për seancën që fillon në ora 15:00 me orën e Maqedonisë dhe mund të transmetohet drejtpërdrejt në Home | UN Web TV  General Debate – General Assembly, 78th session.

Është paraparë që presidenti Pendarovski të ketë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në të cilin Presidenti Pendarovski do ta nderojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara me Urdhrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe çmimin do t’ia dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm Guterres. Organizata e Kombeve të Bashkuara dallohet me Urdhrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për ndihmën dhe mbështetjen e madhe në përballjen me pasojat e tërmetit katastrofik të Shkupit dhe për kontributin e paçmuar në rindërtimin e qytetit të Shkupit, i cili u shndërrua në qytet solidariteti dhe simbol i vërtetë i miqësisë mes kombeve.

Presidenti Pendarovski me aktivitetet e sotme përmbyll pjesëmarrjen në Asamblenë e 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Pendarovski është paraparë të udhëtojë në Çikago, ku nesër – 23 shtator 2023, e shtunë, do të marrë pjesë në gala darkën humanitare “Rrugët drejt prosperitetit” të organizuar nga bordi i drejtorëve të “Macedonia2025” dhe do të nderojë drejtorin ekzekutiv të Boeing, David. L. Calhoun me Urdhrin “8 Shtator”. Calhoun dallohet për kontributin e tij të veçantë dhe të përkushtuar në zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve strategjike dhe afariste maqedono-amerikane dhe në përparimin ekonomik të vendit tonë.

Ndërkohë, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork,  tre ditë më parë mori pjesë në takimin e organizuar për liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politika e Jashtme dhe Siguria e Bashkimit Evropian, Josep Borel.

Në takim u diskutua për situatën aktuale dhe perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, proceset reformuese në vazhdim, si dhe tendencat politike dhe ekonomike në rajon në kuadër të zhvillimeve gjeopolitike.

Në bisedime u theksua domosdoshmëria e zbatimit të shpejtë të vendimeve strategjike në lidhje me politikën e zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian në interes të sigurisë, stabilitetit dhe progresit të rajonit dhe në të njëjtën kohë ruajtjes së besueshmërinë e BE-së.

Në të njëjtën kohë, bashkëbiseduesit shkëmbyen informacione për masat dhe aktivitetet e ndërmarra në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, në përgjigje të pushtimit ushtarak rus të Ukrainës.