Pendarovski në OKB: Detyra më urgjente e Këshillit është të angazhohet në përfundimin e luftës në Ukrainë

Dje pasdite në Nju Jork, presidenti Stevo Pendarovski foli në debatin e hapur për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të Këshillit të Sigurimit, me temën “Ruajtja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së përmes multilateralizmit efektiv: ruajtja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë”. Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski tha se detyra më urgjente e Këshillit të Sigurimit është të angazhohet në mënyrë proaktive për përfundimin e luftës në Ukrainë, transmeton Portalb.mk.

“E vetmja mënyrë për të arritur këtë qëllim është përmes diplomacisë dhe negociatave, bazuar në respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Për këtë, hapi i parë duhet të jetë armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte, për të krijuar një mjedis për fillimin e negociatave. Gjatë gjithë procesit, Kombet e Bashkuara duhet të themelojnë një mision paqeruajtës me detyrë kryesore mbikëqyrjen e armëpushimit dhe ndihmën humanitare për civilët”, theksoi presidenti Pendarovski në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit.

Agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës, tha Pendarovski, i dha një goditje të rëndë paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, parimeve bazë të ligjit ndërkombëtar dhe rendit ndërkombëtar.

Kjo luftë sipas tij, sfidoi multilateralizmin, si themel i rendit ndërkombëtar, në një nivel të paprecedentë.

“Situata aktuale është rezultat i shpërfilljes së detyrimeve të përfshira në Kartën e OKB-së të vitit 1945. Pa respektuar barazinë sovrane dhe integritetin territorial të çdo shteti anëtar, nuk mund të flasim për multilateralizëm efektiv. Deri më tani kemi parë disa përpjekje për të ripërcaktuar themelet e rendit ndërkombëtar, por asnjëra prej tyre nuk ka fituar një mbështetje kaq të gjerë sa parimet që bota e qytetëruar vendosi pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore”, tha Pendarovski.

Në këtë kuptim, nënvizoi Pendarovski, bllokada në të cilën ndodhet Këshilli i Sigurimit si organi kryesor i OKB-së, i cili synon ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, u nxit pikërisht nga mospërfillja dhe, edhe anashkalimi i vetëdijshëm i parimit themelore të rendit ndërkombëtar.

“Është e qartë se ky bllokim zvogëlon besueshmërinë dhe besimin e njerëzve se Kombet e Bashkuara mund të arrijnë efektivisht objektivin kryesor për të cilin u krijua pothuajse tetë dekada më parë. Pa asnjë alternativë të besueshme ndaj perspektivës që rendi aktual ndërkombëtar të ketë mbështetjen e shumicës së kombeve, është e kuptueshme pse zhgënjimi i njerëzve me mosveprimin e OKB-së po bëhet më i fortë. Është e qartë se bota moderne është shumë e ndryshme nga bota e vitit 1945 dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të përballet dhe të pajtohet me këtë realitet të ri. Në kuadër të debateve aktuale për reformën e mundshme të organit kryesor të OKB-së, çështja e vetos së anëtarëve të përhershëm duhet të shqyrtohet tërësisht, veçanërisht kur njëri prej tyre është i përfshirë në një konflikt”, vlerëson Pendarovski.

Ndërkohë, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Asamblenë e Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork,  dy ditë më parë mori pjesë në takimin e organizuar për liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politika e Jashtme dhe Siguria e Bashkimit Evropian, Josep Borel.

Në takim u diskutua për situatën aktuale dhe perspektivat evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, proceset reformuese në vazhdim, si dhe tendencat politike dhe ekonomike në rajon në kuadër të zhvillimeve gjeopolitike.

Në bisedime u theksua domosdoshmëria e zbatimit të shpejtë të vendimeve strategjike në lidhje me politikën e zgjerimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian në interes të sigurisë, stabilitetit dhe progresit të rajonit dhe në të njëjtën kohë ruajtjes së besueshmërinë e BE-së.

Në të njëjtën kohë, bashkëbiseduesit shkëmbyen informacione për masat dhe aktivitetet e ndërmarra në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, në përgjigje të pushtimit ushtarak rus të Ukrainës.