Presidenti i Iranit vizitë në Arabinë Saudite për Samitin e Jashtëzakonshëm Islamik

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka mbërritur në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riyadh për një samit ku do të diskutohet konflikti në Gaza, raporton ABC. Lideri iranian u përshëndet nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, në takimin e tyre të parë që prej se Arabia Saudite dhe Irani ranë dakord që të rivendosnin marrëdhëniet diplomatike më herët gjatë këtij viti.

Kjo është po ashtu vizita e parë e një presidenti iraninan në mbretëri në 11 vite. Kujtojmë se Arabia Saudite pret të shtunën Samitin e Jashtëzakonshëm Islamik të Përbashkët Arab, në përgjigje të “rrethanave të paprecedentë në Gaza”.

Liderët e vendeve që do të marrin pjesë do të punojnë për të dalë me një qëndrimi të unifikuar kolektiv për zhvillimet në Gaza, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme saudite.

Presidenti turk Tajip Erdogan, Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidenti sirian Bashar al-Assad gjithashtu do të marrin pjesë.

Siria u ripranua në Ligën Arabe, një organizatë e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës, në maj pas një mungese 11-vjeçare.