Përsëritja e imazheve të vjetra të luftës psikologjike

Zakonisht gjatë proceseve të vështira politike, konflikteve dhe reshtimeve gjeopolitike, shtetet janë të interesuara për ndikim të formave të ndryshme. Viteve të fundit është shkruar rreth metodave hibride si pjesë të planeve të disa qeverive për arritjen e objektivave të caktuara. Në këtë grup, bën pjesë edhe lufta psikologjike e cila për sa i përket ndikimit, radhitet si dyta pas operacioneve klandestine. Shpërndarja e materialeve që inkurajojnë dezertimin dhe frikën mbeten synimet kryesore të opeacioneve psikologjike para dhe gjatë konflikteve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), propaganda përbënte instrumentin kryesorë të luftës psikologjike të forcave Aleate dhe atyre të Aksit.

Qeveria amerikane dhe britanike me një përvojë të mirë gjatë Luftës së Parë Botërore (LPB) në fushën e operacioneve psikologjike, vendosën të zhvillojnë të njëjtën edhe gjatë LDB-së për të rritur moralin e forcave kombëtare dhe ulur moralin e ushtarëve gjermanë. Gjatë shekullit XX, mjetet e luftës psikologjike i kishin zhvilluar Gjermania, Italia, Japonia dhe qeveritë që mbështesnin propagandën naziste. Në publikimet historike, Lordi Hau lidhet me radio folsin gjerman, me një pseudonim britanik që transmetonte lajme në gjuhën angleze e që kishte për qëllim dezinformimin dhe zgjerimin e propagandës gjermane në veri-perëndim të Evropës. Programi në gjuhën angleze emitohej nga qyteti gjerman i Hamburgut, e me valë të mesme shkonte deri në brigjet lindore të SHBA-së. Në shekullin XXI, lufta psikologjike është integruar në disa nivele. Nga Ukraina, BE-ja e deri në Ballkanin Perëndimor operacionet psikologjike po bëhen gjithnjë e më të fuqishme. Nga ngjarjet e fundit, vërehet se aktorët e përfshirë janë të vendosur të demoralizojnë njëri tjetrin me të gjitha metodat.

Përveç përdorimit të forcës ushtarake, jemi dëshmitarë të shfrytëzimit të mjeteve psikologjike në funksion të politikave qeveritare për të destabilizuar BE-në, Ballkanin Perëndimor dhe rajonet tjera të krizës. Studimet e fundit të organizatave tregojnë se Rusia bashkë me mbështetësit e saj në Ballkanin Perëndimor kanë shpërndarë mijëra informata të rrejshme, që në thelb kanë të bëjnë me demoralizimin e popullatës. Lufta në Ukrainë nxorri në dritë një fushatë të hershme ruse për vazhdimin e luftës psikologjike nga Evropa Lindore, BE-ja e deri na Ballkanin Perëndimor. Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së e ka përcaktuar luftën psikologjike si më poshtë: “Lufta psikologjike është përdorimi i planifikuar i propagandës dhe i veprimeve të tjera psikologjike që kanë për qëllim parësor ndikimin në opinionet, emocionet, qëndrimet dhe sjelljen e grupeve të huaja armiqësore në mënyrë të tillë që të mbështesin arritjen e objektivave kombëtare”.

Lufta psikologjike para dhe pas pushtimit të një vendi bashkë me propagandën luajnë një rol kritik në suksesin e operacioneve. Disa raste historike tregojnë se efekti i luftës psikologjike është i madh në sajë të shpërndarjes së informatave të gabuara dhe manipulimeve që bëhen. Me operacione të përgatitura mirë, një ushtri mund të arrijë të pushtojë një shtet pa pasur nevojë të përdorë të gjitha kapacitetet ushtarake dhe njerëzore.

Ish- Ministri i Propagandës së Rajhut (1933-1945) Jozef Gebelsi, i shfrytëzoi të gjitha teknologjitë e kohës së shekullit XX për të ndikuar në uljen e moralit të popullatës së shteteve të pushtuara dhe rritjen e besimit të brendshëm. Fjalimet e zjarrta të lidershipit gjerman dhe raportet e radiove gjermane ishin dy armët më të forta të Gjermanisë së atëhershme. Imazhet e luftës së re në Evropë në psikologjitë e njerëzve përfundimisht u bënë realitet në fillim të 1939-ës. Kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi me humbjet e ushtrisë gjermane në frontin lindor filluan vështirësitë e Berlinit për të vazhduar propagandën dhe frikën. Paralele të tilla mund të bëhen me sulmin e Rusisë në Ukrainë në 2022, me përpjekjet e Serbisë dhe forcave radikale në Ballkan për konflikte të izoluara dhe rritje të frikës ndaj etnive duke përdorur imazhe të luftërave jugosllave (1991-99). Shtetet e lartëpërmendura vazhdojnë të shfrytëzojnë imazhe të luftës psikologjike në Bosnjë dhe në Kosovë.

Imazhe të tilla aktorë shtetërorë dhe jo shtetëror mund të ndërmarrin me publikimin e temave nga e kaluara e popujve të prekur nga dhuna, edhe atë duke shpërndarë fotografi dhe harta me përmbatje nacionaliste dhe të gjenocidit. Në kohën bashkëkohore të gjitha këto veprime njhen si teknika të luftës psikologjike të përsosura dhe të integruara më lehtë në mediat sociale. Në zonat e luftës metodat klasike të luftës psikologjike janë më të ashpra. Frika dhe dorëzimi në një ambient të mbuluar nga kaosi i dezinformatave janë pjesë e jetës së njeriut dhe të ushtarëve në frontin e luftës.

Për më shumë këtu mund t’i referohemi novelistit gjerman Erih Maria Remark (1898-1970). Meqenëse gjërat në fushën e dezinformimit nuk po shkojnë mirë në rajon, në Ukrainë dhe në BE, kemi shumë shtete që vazhdojnë të armatosen e të besojnë në metodat psikologjike të luftës, duke u mbështetur në suksesin historik në pjesët ku ka potencial për shpërthim etnik dhe fetar ose ku identiteti kombëtar luan rol në gjithçka.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.