Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi: rastet e diskriminimit në RMV janë shtuar, ankesat janë dyfishuar

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD) në Republikës së Maqedonisë së Veriut, e prezantoi sot raportin e vitit 2023 nga shqyrtimi i 599 lëndëve të diskriminimit. Siç thanë, është shënuar rritje e dyfishtë të numrit të ankesave në krahasim me vitin paraprak. Qytetarët më shpesh janë ankuar për diskriminim në media, në punë dhe marrëdhëniet e punës, në sistemin arsimor dhe në dhënien e shërbimeve ndërkaq diskriminimi për orientimin seksual, identitetin gjinor, përkatësinë etnike, si dhe përcaktimin politik kanë qenë bazat më të zakonshme të ankesave. Për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve të Komisionit janë paraqitur 14 kërkesa për fillimin e procedurave për kundërvajtje ndaj diskriminuesve të identifikuar por vetëm një rast ka pasur epilog gjyqësor, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve të Komisionit në vitin 2023 janë paraqitur 14 kërkesa për fillimin e procedurave për kundërvajtje ndaj diskriminuesve të identifikuar. Është miratuar një aktvendim nga gjykata themelore me anë të të cilit gjykata shpalli fajtor dhe vendosi sanksion kundërvajtës ndaj një personi që nuk veproi sipas rekomandimit të KPMD-së brenda afatit të caktuar ligjërisht për veprim.” tha Igor Jadrovski, kryetar i komisionit.

Rastet e diskriminimit janë në rritje e sipër, këtë vit KMPD ka shqyrtuar gjithsej 599 raste gjatë vitit 2023, nga të cilat 76 u transferuan nga viti kaluar 2022. Mosha që është prekur nga ky fenomen është 41-50, të cilët vijnë kryesisht nga Shkupi e Strumica, duke pasuar qytetet tjera. Diskriminimi vërehet më së shumti në sektorin publik, edhe 55,93% e lëndëve.

“442 nga parashtruesit ishin persona fizik dhe 78 nga persona juridik, ndërkaq mosha 41-50 ka paraqitur më shumë parashtresa. Qytetarët dhe OJQ-të me seli në Shkup kanë dërguar më shumë parashtresa në adresën e komisionit edhe atë 180 parashtresa, duke pasuar me qytetin e Strumicës 166 parashtresa, dhe qytetet tjera si Manastiri, Koçani etj. Diskriminimi është hasur më së shumti në sektorin publik 55,93%, edhe atë nga personat udhëheqës dhe të autorizuar. KPMD ka konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë në 22 raste, prej të cilave 21 në formë të rëndë”, raportoi Flora Kadriu, anëtare e komisionit.

KPMD i është drejtuar organeve kompetente me 4 propozime gjatë vitit 2023, nga të cilat dy u adresohen qendrave korrektuese për të përmirësuar sistemin dhe qasjen në arsimim e vuajtjen e dënimit më afër vendbanimeve. Nuk përjashtohet edhe transporti publik për studentët e universiteteve private dhe sigurimin shëndetësor për personat që merren me agronomi.

“Komisioni me vetë-iniciativë ka dërguar 4 propozime të përgjithshme për raste të diskriminimit. Propozimi i parë ishte kundrejt Ministrisë së Drejtësisë të sigurojë zgjidhje sistematike për arsimim të detyrueshëm të personave që vuajnë dënimet në burgje dhe shtëpitë korrektuese. E dyta iu adresua organeve kompetente për të siguruar realizimin e të drejtës për progres në sistemin penal, pavarësisht përkatësisë, në veçanti gjinisë femërore. Propozimi i tretë u dërgua deri te Qeveria e RMV, për sigurimin e transportit falas për studentët e rregullt të universiteteve private. Propozimi i fundit ka të bëj për sigurimin shëndetësor e trajtimit të njëjtë të qytetarëve në veçanti të grave që merren me bujqësi, t’u sigurohet pushim mjekësor, pushimi i mëmësisë dhe lehonisë“, raportoi Zekir Abdullov, anëtar i komisionit.

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në R. Foto nga Portalb.mk
Anëtarët e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Foto nga Portalb.mk

Gratë në RMV mund të vuajnë dënimin vetëm në burgun e Idrizovës, dhe ky realitet i pengon ata nga të drejtat e tyre dhe vizitat familjare. Qytetarët nga komuniteti LGBT, janë pre e diskriminimit, ndaj komisioni propozon organet kompetente të forcojnë kompetencat e tyre. Programi i MASH-it nuk ka paraparë personat inkluziv në shkollat e mesme, ndaj komisioni ka propozuar një tekst për ta miratuar si ligj.

“Gratë mund të vuajnë dënimin vetëm në burgun e Idrizovës, dhe kjo pengon të njëjtat të kryejnë të drejtat e tyre, madje edhe vizitat e lejuara familjare. Raste diskriminuese vërehen edhe te personat me të meta fizike që vuajnë dënimet. Kemi shumë parashtresa edhe nga personat e komunitetit LGBT, duke përfshirë shqetësimet, diskriminimet dhe gjuhën e urrejtjes kundrejt tyre, komisioni nuk do të jep rezultat poqë se organet kompetente nuk forcojnë kompetencat e tyre. Në programin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës njashtu nuk janë paraparë personat me pengesa në zhvillim dhe qasja e tyre në shkollat e mesme, ndaj komisioni ka propozuar një tekst për miratimin e një ligji“, raportoi Dragana Drndarevska anëtare e komisionit.

Për implementimin e propozimeve duhet bashkëpunim institucional dhe jo vetëm iniciativa personale të disa deputetëve. Parlamenti deri tani nuk ka shqyrtuar asnjë raport nga KPMD, organ i cili duhet të mbështesë propozimet për zbatimin e tyre.

“Nevojitet bashkëpunim institucional dhe jo vetëm iniciativë të disa deputeteve. Parlamenti deri tani nuk ka shqyrtuar asnjë raport të KPMD, gjë që tregon se diskriminimet me sa duket nuk janë prioritet. Na duhet mbështetje shtesë nga Parlamenti për të implementuar propozimet tona në përputhje me propozimet publike”, komentoi Drdarevska.

Në vitin 2023, u miratua Strategjia për Parandalimin e Diskriminimit Strukturor dhe Promovimin e Parimit të Barazisë e KPMD-së, e cila identifikon arsyet për forma të caktuara të diskriminimit strukturor, si mund të njihet diskriminimi strukturor dhe çfarë mund të bëjë KPMD-ja për të parandaluar diskriminimin, por edhe për të promovuar parimin e barazisë në funksionimin e saj dhe funksionimin e institucioneve të tjera. Gjithashtu, u miratua Rregullorja për krijimin e trupave këshillëdhënës të ekspertëve për çështje të caktuara specifike që lidhen me promovimin, parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi dhe u përzgjodhën 11 kandidatë për ekspertë të organeve këshillëdhënëse për mbështetje profesionale të KPMD-së që aplikuan në konkursin publik.