“Poor Things” triumfoi në Venedik, fitore e dyfishtë edhe për Kosovën

“Luanin e Artë” të edicionit jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia e ka marrë komedia e zezë e Yorgos Lanthimos, “Poor Things” dhe ky sukses u atribuohet edhe yjeve të këtij filmi Emma Stone, Mark Roffalo. Por ceremonia e së shtunës mbrëma ka pasur edhe një kapitull suksesi edhe për filmat bashkëprodhime e me aktorë nga Kosova. “A Short Trip” i regjisorit nga Shqipëria, Erenik Beqiri, ka marrë çmimin për Filmin më të mirë të shkurtër, në kategorinë “Orizzonti”, e aty luajnë edhe aktorët Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj. Filmi “House keeping for beginners”, nën regji të maqedonasit Goran Stolevski, ku luajnë edhe aktoret nga Kosova Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, ka marrë çmimin “Queer Lion Award”. “Bota jonë” nga Luana Bajrami pa çmim, por me premierë botërore ka lënë shenjë në Venecia, raporton Koha.net.

“Poor Things” i regjisorit grek, Yorgos Lanthimos, është fituesi kryesor i edicionit të 80-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Ka marrë “Luanin e Artë” për filmin më të mirë në ngjarjen më të vjetër të filmit, i cili me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të shtunën mbrëma ka përmbyllur maratonën dhjetëditore filmike. Sivjet ka ardhur me fuqinë e plotë të kinematografisë, pa shkëlqimin e rëndomtë të tapetit të kuq në hapje, por në finale ai ka qenë në nivelin e vet. E, edicioni jubilar i kësaj ngjarjeje ka peshë edhe për Kosovën. Me përfaqësim nëpërmjet tre filmave, bashkëprodhimet e projektet kinematografike, ku luajnë edhe aktorë vendorë, kanë marrë dy çmime në festival.

“A Short Trip” i regjisorit nga Shqipëria, Erenik Beqiri, ka marrë çmimin për Filmin më të mirë të shkurtër, në kategorinë “Orizzonti”. Në film luajnë edhe aktorët nga Kosova, Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj, tok me Tristan Halilajn, që mbajnë barrën e roleve kryesore.

Por suksesi i filmave që kanë shenja të artistëve nga Kosova nuk është ndalur me kaq. Filmi i gjatë “House keeping for beginners”, nën regji të maqedonasit Goran Stolevski, ku luajnë edhe aktoret nga Kosova Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, ka marrë çmimin “Queer Lion Award”, një çmim jo pa vëmendje në Venecia. Ka qenë konkurrent në “Orizzonti” dhe fituesit e disa çmimeve në këtë kategori nuk janë lansuar në ceremoninë kryesore. Çelaj portretizon një vajzë homoseksuale që jeton në shtëpinë e Ditës (Anamaria Minca), e cila shndërrohet në një hapësirë të personave të komunitetit “queer”, të cilët nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Bashkë me aktoren Ilire Vinca, që është e ëma e saj, kanë parakaluar në tapetin e kuq të Venecias.

Sukses llogaritet edhe “Bota jonë” i Luana Bajramit, konkurrent në “Orizzonti Extra”, por që nuk ia doli të marrë çmim. Filmi i Kodrës, i pari bashkëprodhim midis Francës e Kosovës, u dha premierë botërore në festivalin e madh. Kodra ka pasur disa paraqitje e intervista gjatë festivalit.

E bota e filmit është zhvendosur në Venecia. Ka pasur emra të shquar kineastësh, tema të fuqishme, por ka goditur regjisori grek, jo pak i njohur për festivale të këtij niveli.

Goditja me komedinë e zezë

“Poor Things” i “Luanit të Artë” i takon zhanrit komedi e zezë dhe bazohet në romanin e vitit 1992 me të njëjtin titull. Në rolet kryesore e sjell një kastë të aktorëve të famshëm hollywoodianë. Emma Stone, Mark Roffalo, Willem Dafoe, Ramy Youssef, Christopher Abbott dhe Jerrod Carmichael janë në mesin e tyre.

“Poor Things” ndjek historinë e një vajze të re viktoriane, e cila pasi ringjallet në mënyrë të vrazhdë nga një shkencëtar pas vetëvrasjes së saj, ikën me një avokat të shthurur për të nisur një odise të zbulimit të vetvetes dhe çlirimit seksual. Kritikët e vlerësuan lart filmin, i cili përfshin një prej performancave më të jashtëzakonshme të karrierës prej yllit, Emma Stone. Ajo vjen në rolin e Isabella Baxter, një krijesë në trupin e gruas, por me mendjen e një fëmije që përpiqet ta kuptojë patriarkatin kufizues të botës përreth saj dhe më pas vazhdon ta çmontojë atë.

Në fjalimin e pranimit të çmimit “Luani i Artë”, Lanthimos ka thënë se i është dashur kohë e gjatë për ta realizuar këtë projekt, që është i pari nga filmi i vitit 2018 i shpërblyer me “Oscar”, “The Favourite”. Sipas regjisorit u desh të presin derisa bota dhe industria të ishin gati për këtë film. Lëvdata të veçanta pati për protagonisten Stone.

“Mbi të gjitha, filmi në qendër e ka personazhin e Isabella Baxterit, një krijesë e jashtëzakonshme e cila nuk do të ekzistonte pa aktoren Emma Stone, një tjetër krijesë e mahnitshme. Ky film është vetë ajo, para dhe prapa kamerave”, ka thënë ai me “Luanin e Artë” në dorë.

Regjisori grek për herë të fundit mori pjesë në Venecia me filmin “The Favourite”, një dramë për një epokë historike që shkatërroi çdo traditë të këtij zhanri, vetëm për të ribashkuar pjesët në diçka shumë më interesante.

Italiani Matteo Garrone mori çmimin “Regjisori më i mirë” për dramën e migracionit “Me Captain”. Protagonisti i filmit, Seydou Sarr, u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë i ri”, për portretizimin e tinejxherit nga Senegali, i cili largohet nga vendlindja për të arritur në Evropë.

Sarr u përfshi nga emocionet dhe shpërtheu në lot me të dalë në skenë për ta pranuar trofeun, me ç’rast me pak fjalë e falënderoi jurinë e festivalit.

Çmimi “Aktorja më e mirë” këtë vit iu nda aktores amerikane, Cailee Spaeny, për portretizimin e Priscilla Presleyn në filmin e regjisores Sofia Coppola, “Priscilla”. Ylli tjetër hollywoodian, Peter Sarsgaard, u vlerësua me çmimin “Aktori më i mirë” për rolin në filmin e Michel Francos, “Memory”. Luan rolin e një burri që vuan nga demenca. Fjalimin e tij në skenë, aktori e shfrytëzoi për ta komentuar grevën e aktorëve në Hollywood, që ka goditur edhe edicionin e sivjetmë.

“Çështja që më goditi më të vërtetë është Inteligjenca Artificiale. Mendoj se mund të pajtohemi me atë se një aktor është person dhe një skenarist është person, por me sa duket jo të gjithë e ndajnë të njëjtin mendim”, i cili më tutje u bëri thirrje të gjithëve që të mos ua dorëzojnë rrëfimet për lidhjet njerëzore, “makinerive dhe 8 miliarderëve që i zotërojnë ato”.

Regjisorja polake, Agnieszka Holland, ka marrë Çmimin special të jurisë për “Green Border”, një dramë tronditëse që flet për gjendjen e vështirë të refugjatëve të kapur në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë. Anëtarët e qeverisë së ekstremit të djathtë të Polonisë, duke përfshirë ministrin polak të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, e kanë sulmuar regjisoren duke e krahasuar atë me “propagandën naziste”. Holland para të pranishmëve në sallën e “Palazzo del Cinema” ka thënë se do ta padisë Ziobron për shpifje nëse nuk kërkon publikisht falje dhe nuk tërhiqet nga komentet e tij.

Alex Braverman e rrëmbeu çmimin për “Dokumentarin më të mirë” me projektin e tij të fundit, “Thank You Very Much”. Dokumentari fokusohet në karrierën e komedianit legjendar, Andy Kaufman. Braverman i bëri homazhe të ndjerit Kaufman në fjalimin e tij, duke thënë se ai është “po aq i rëndësishëm tani sa ka qenë ndonjëherë”.

Filmi “Love is a Gun”, me të cilin aktori nga Tajvani, Lee Hong-ch, debutoi si regjisor, e fitoi çmimin “Luani i së Ardhmes” në Festivalin e Venecias. Drama e rrëfen historinë e një ish-të burgosuri i cili dëshpërimisht përpiqet të ndryshojë dhe ta lërë pas të kaluarën.

“Explanation for Everything”, drama hungareze e regjisorit Gabor Reisz, që shikon luftërat kulturore në Evropën Qendrore, mori çmimin kryesor në kategorinë “Orizzonti”, atë për filmin më të mirë. Pikërisht në këtë kategori, Çmimin më të mirë për filmin e shkurtër e mori “A Short Trip” nga Erenik Beqiri.

Erenik Beqiri, një çmim për Shqipërinë

Regjisori dhe skenaristi nga Shqipëria, Erenik Beqiri, ka qenë jo pak i emocionuar kur ka dëgjuar titullin e filmit dhe emrin e tij si fitues në “Palazzo del Cinema”. Ceremonia është transmetuar direkt në disa platforma të festivalit.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua, për vendin tim Shqipërinë, kulturën tonë, historitë që i rrëfejmë dhe që kemi nevojë t’i rrëfejmë edhe më shumë. Shpresoj që më shumë njerëz do të inspirohen të tregojnë histori nga ky vend. Dua ta falënderoj jurinë për këtë çmim dhe festivalin që na ka sjellë këtu. Sigurisht që ky film nuk do të mund të realizohej pa kastën e talentuar të aktorëve. Luana dhe Tristan, pa ju filmi nuk do të merrte frymë”, ka thënë Beqiri pasi ka marrë trofeun. Filmi i tij garoi së bashku me 12 filma të tjerë në kategorinë “Orizzonti Cortometragio”, dedikuar filmave që përfaqësojnë tendenca të reja estetike dhe shprehëse të kinematografisë botërore, me fokusin te talentet e reja dhe kinematografitë më pak të njohura. Në fakt, filmi i regjisorit shqiptar është një prodhim francez. E festivalet e kategorisë A e kanë tashmë të njohur emrin e këtij regjisori. Qysh më 2019 ai shënjoi historinë e filmit shqiptar, kur me filmin e shkurtër “The Van” (Furgoni), me aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, garoi në Festivalin e Filmit në Cannes, i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 72-të dhe shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi që u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz, “Palma e Artë”. Më pas u fut edhe në listë për çmimin “Oscar”.

Festivali i Filmit në Venecia përherë ka kujtuar edhe gjigantët e kinematografisë. Çmimet “Luani i Artë për arritje jetësore” u prezantuan në hapje të ceremonisë, duke iu dhuruar regjisores italiane, Liliana Cavani, dhe aktorit nga Hong-Kongu, Tony Leung Chiu-wai.

Edicioni i sivjetmë i festivalit numëroi gjithsej tetë kategori, duke përfshirë atë të filmave klasikë që janë restauruar dhe programin me projekte kinematografike që nuk janë në konkurrencë.

Juria për garën kryesore të edicionit të 80-të të Festivalit të Venecias u kryesua nga regjisori, skenaristi dhe producenti amerikan, Damien Chazelle. Chazelle dy herë e ka hapur festivalin më të vjetër të filmit në botë, në vitin 2016 me filmin “La La Land” dhe në vitin 2018 me filmin, “First Man”. Krahas tij, si pjesëtarë të jurisë qenë edhe aktori palestinez, Saleh Bakri, regjisorja nga Zelanda e Re e shpërblyer me “Oscar”, Jane Campion, regjisorja dhe skenaristja franceze, Mia Hansen-Løve, regjisori, aktori dhe kompozitori italian, Gabriele Mainetti, skenaristi dhe regjisori irlandez, Martin McDonagh, skenaristi e regjisori argjentinas, Santiago Mitre, gazetarja dhe regjisorja amerikane, Laura Poitras dhe aktorja e njohur kineze, Shu Qi.

Kryetar jurie për kategorinë “Orizzonti” qe Jonas Carpignano, regjisor, skenarist dhe producent i shquar italian, i shoqëruar edhe nga regjisori nga Tunizia, Kaouther Ben Hania, artisti dhe regjisori amerikan, Kahlil Joseph, regjisori frnacez, Jean-Paul Salomé dhe programuesja britanike, Tricia Tuttle.

Rikthimi i kineastëve të Kosovës

Kosova iu kthye Festivalit të Venecias pas dy vjetësh. Më 2021 ishte e pranishme me historinë e jashtëzakonshme të një gruaje 64-vjeçare, që interpreton gjuhën e shenjave në filmin “Vera andrron detin”, nën regji të Kaltrina Krasniqit e me skenar të Doruntina Bashës. Konkurroi po në kategorinë “Horizonti”. Kishte marrë dy çmime nga platforma që bashkëpunojnë me festivalin. Është ajo që njihet si kinema e zgjatur, “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso”, që i kishte ndarë Çmimin e regjisë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare, Kaltrina Krasniqit. Po ky film kishte marrë edhe “Prize for the inclusion Edipo Re” (Çmimi i gjithëpërfshirjes, Edipo Re) që u jepet figurave globale të filmit, që kanë dalluar veten për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj krijimit të filmit.

Edicioni i sivjetmë është hapur me filmin “Challengers”, nën regji të italianit Luca Guadagnino, e vëmendja e mediave botërore është fokusuar te filmat, si “Aestro” i Bradley Cooper, “El Mondo” i Pablo Larrain, “Origin” i Ava Duvernay e “The Killer” i David Fincher. Debate të shumta në këtë edicion kanë tematizuar kinematografinë në kohë të ndryshme. Festivali ka përjetuar edhe ditë të rënda censure. Ngjarja ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore dhe periudhën para saj, kur Italia udhëhiqej nga Partia Fashiste. Në këtë përvjetor diskutimet kanë shoshitur situata të ndryshme, përderisa është bërë thirrje që bota e kinematografisë të vazhdojë kontributin për të drejtat e njeriut e fenomene të ndryshme shoqërore. Vitin e kaluar “Luanin e Artë” e mori filmi dokumentar i Laura Poitras, “All The Beauty And The Bloodshed”, duke u bërë dokumentari i dytë në histori që e fiton çmimin kryesor të festivalit. Po ashtu kjo ishte hera e tretë radhazi që triumfon një regjisore, pas Audrey Diwanit që triumfoi me filmin “Happening” në vitin 2021 dhe Chloe Zhaos e cila fitoi me filmin “Nomadland” më 2020-n.