Policia e RMV-së arrestoi një tifoz pasi në ndeshje kishte tentuar të vendos një transparent ofendues

Në pushimin e ndeshjes së basketbollit që u luajt më 2 gusht në Kumanovë, Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar një qytetar që tentoi të vendos mesazhe fyese, transmeton Portalb.mk.

“Sot, policia ka arrestuar 30 vjeçarin S.M. nga Kumanova, i cili dyshohet se gjatë pushimit të ndeshjes së basketbollit është përpjekur të fusë një banderolë me përmbajtje fyese. Pas zbardhjes së plotë të rastit, kundër tij do të ngrihet një padi përkatëse”, njoftoi Policia.

Policia njoftoi se janë zhvilluar edhe biseda zyrtare me disa të dyshuar të përfshirë në ndeshjen e 2 gushtit, ku disa tifozë kanë përdorur këngë antishqiptare.

“Lidhur me ndeshjen e basketbollit që u zhvillua më 02.08.2025 në Palestrën Sportive në Kumanovë, disa të dyshuar tashmë janë thirrur në SPB Kumanovë dhe janë intervistuar zyrtarisht, dhe pas analizave në koordinim me Prokurorinë Publike të Kumanovës, kundër personave të përfshirë do të ndërmerren masa konkrete ligjore, përfshirë edhe ndjekje penale”, paralajmëroi Policia.

Ndryshe, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) sot (5 gusht) e ka dënuar ashpër incidentin që përfshinte thirrje fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen midis Maqedonisë dhe Rumanisë që u zhvillua të shtunën në Kumanovë. Përveç kësaj, Federata informoi se incidenti është objekt i një hetimi nga ana e saj.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe gjuhën e urrejtjes në disa nene, ndërsa më i rëndësishmi është neni 319, i cili parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.