Policia e Kosovës: Njëri prej sulmuesve në veri është vrarë

Policia e Kosovës ka thënë se njëri prej sulmuesve në veri, përkatësisht në zonën e fshatit Banjskë, është vrarë në shkëmbimet me armë zjarri me zyrtarët policorë, transmeton REL.

Si pasojë e sulmeve, një zyrtar policor është vrarë dhe dy tjerë janë plagosur në mëngjesin e së dielës, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se situata atje vazhdon të jetë e tensionuar, dhe grupet, që ky institucion i ka konsideruar si kriminale, janë duke i sulmuar njësitet policore në teren.

“Sulmuesit profesionalë, në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth Manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”, është thënë në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje pak më parë këtyre sulmuesve që të dorëzohen, pasi janë të rrethuar nga zyrtarët policorë.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.