Policia e Kosovës ka sekuestruar 250 kilogramë duhan të kontrabanduar nga RMV

Policia e Kosovës, Drejtoria rajonale e Policisë kufitare lindore, pas zbatimit të masave për parandalimin dhe ndalimin e kontrabandës, ka intensifikuar kontrollet taktike-operative në terren, me çka në rrugën Stançiq-Gjilan është ndalur një automjet “BMW” me targa të Kosovës, për të cilat njësitet policore kishin informacione se ishte i angazhuar në kontrabandim të mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut për në Republikën e Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Automjeti në fjalë është ndalur në hyrje të Gjilanit dhe gjatë kontrollit të sediljeve të pasme dhe në bagazhin e veturës janë gjetur 25 thasë me duhan të përpunuar, me peshë rreth 250 kilogramë, për të cilat nuk kishte dokument të origjinës.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit të Kosovës dhe me urdhër të prokurorit kompetent malli është dërguar në terminalin doganor për procedurë të mëtutjeshme.