Pemët janë nga krijesat më madhështore dhe më të heshtura të natyrës. Ato qëndrojnë në tokë me rrënjë të thella dhe ngrenë degët drejt qiellit, si një urë mes tokësores dhe hyjnores. Në pamje të parë, duken si organizma të thjeshtë, por në thelb janë një botë më vete. Pemët janë qenie që zbukurojnë peoizazhin, ndihmojnë në freskimin e qyteteve tona, pastrojnë ajrin, kontribuojnë në shëndetin mendor.
Plepi dhe ullir. Dy drurë apo dy pemë si dy profile njerëzish me të cilët frymojmë e bashkëjetojmë, me të cilët krijojmë relacione në përditshmërinë tonë. Metafora të dy koncepteve apo botëkuptimeve, të dy vetë-perceptimeve e psikologjive. Në vazhdim do të zhvillojmë një trajtim analogjik në lidhje strukturën, funksionin dhe misionin e këtyre dy kategorive. Gjithnjë duke pasur në konsideratë edhe relacionin mes pemës dhe njeriut që janë të lidhur mes vete më tepër sesa mund të imagjinojmë. (Titmuss, 2018) Natyrisht njeriu është superior, sepse është mbi botën bimore, por ama mund të mësojë shumë nga ajo si edhe nga shumë gjëra e fenomene në natyrë gjithandej.
“Pema është një ‘qenie’ e gjallë. Ajo merr frymë dhe jep frymë. Pema dhe njeriu janë një. Ajo lind, rritet, zhvillohet dhe, si çdo gjallesë, një ditë vdes. Ashtu si njeriu, edhe pema e ka frymën e fundit. Mënyra e jetesës së pemës i ngjan jetës së njeriut.”
Njeriu, pema, mali, dielli, rëra, planetet, galaktikat, historia, kultura, arti – të gjitha janë pjesë e rrethit të qenies. Përderisa marrin pjesë në aktin e të qenit, të gjitha janë bashkëpjesëtare në këtë qenie.” (Kalın, 2023)
“Njeriu i sotëm e ka të vështirë të krijojë lidhje me pemën. Në të vërtetë pema është djepi i fëmijës. Është shtëpia e njeriut, është dera dhe dritarja e shtëpisë së tij. Në shkollë, ajo bëhet laps dhe fletore. Ajo është gazeta dhe revista që ai lexon. Pema është oksigjeni që ai merr frymë, është toka që ai mbron, është atdheu. Kur njeriu vdes, pema bëhet arkivol… Pema është një begati që Zoti i Madh i ka krijuar për të mirën e njeriut, për të ai ka nevojë në çdo çast të jetës së tij, nga djepi deri në varr.” (Güler, 2013)
Plepi. Ka trup të gjatë dhe i pëlqen vendet ku ka shumë ujë, i sheh të gjithë nga lart, dhe lakohet; nga të fryjë era atë ditë, nga ajo anë anon. Është i brishtë, thyhet lehtë dhe nuk mund të përdoret për vepra të qëndrueshme, që i bëjnë ballë kohës dhe më e rëndësishmja, e shpenzon gjithë jetën e vet pa dhënë as edhe një fryt.
Ulliri. Me ujin nuk ka shumë punë; merr vetëm aq sa i duhet. Nuk shikon askënd nga lart dhe nuk lejon që era ta përkulë. Mund t’i thyesh degët me shkop dhe ai mërzitet për një vit, por vitin tjetër përsëri të jep — nuk mban inat. E përkundër të gjithave, ai jep edhe ullinj: qoftë ullinj të gjelbër, qoftë për tavolinë, qoftë për turshi; nëse do, nxirr vajin e tij, e madje edhe nga mbetjet mund të bësh pirina për ta djegur në sobë… e çfarë nuk bën ai.
Shumë njerëz i përngjajnë plepit, i pëlqejnë vendet ku ka para, fitime e benefite, sytë i zgurdullojnë dhe zemra u rreh kur është në pyetje materialja, do të dëshironin që gjithë veshmbathjen ta kishin xhep, llogarinë rrjedhës e duan shumëshifrore pëfundësisht… S’ngopen. Racë e pangishme. Të tillët të tjerët i shikojnë prej lart, me përçmim. Ndërkohë kur shohin ndryshimin e kontekstit, i ndryshojnë ngjyrat në çast, së hap e mbyll sytë, indetitetin e kanë ultra-fluid, janë poltronë, ka fryn era e kthejnë gëzofin. Ky profil njeriu thyhet përnjëherë, s’i duron dot furtunat, s’është lëndë që hyn në punë për të ndërtuar diçka, për arkitekturën e së ardhmes. Njerëzit e tillë nuk lënë gjë pas vetes, janë sterilë, s’janë produktivë, s’lënë gjë pas vetes. Treten siç tretet plepi, që për disa vite kalbet, bëhet dhé, tokë, hi.
Por medalja e ka edhe anën tjetër: njeriun që ngjason me ullirin që nuk ia var shumë ujit, materiales, që nuk është monedhëcentrik, që nga kapitali i kësaj bote merr vetëm aq sa i duhet. Njeriu-ulli është modest. Individ që graviton mes të gjithëve, pa komplekse shtresore; që edhe kur goditet rëndë gjen fuqinë që të rikthehet, nuk rrëxohet; ai jep fryte-dije, është i dobishëm gjithandej dhe jeton gjatë, me qindra vite. Njeriu ulli simbolizon paqën, urtësinë, jetën, fertilitetin, qëndrueshmërinë, dritën bekimin dhe shenjtërinë.
Për fat të keq ka shumë njerëz që i dimë për ullinj na dalin plep i zbrazët. Zot ruana prej tyre dhe na bën prej ullinjve të mirëfilltë!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.