Pisonero pas dorëzimit të agjendave reformuese: Së shpejti, pagesat e fondeve të para nga Plani i Rritjes

Komisioni Evropian (KE) po punon për miratimin e agjendave të reformave të paraqitura prej pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për përgatitjen e marrëveshjeve në bazë të të cilave do të jetë e mundur së shpejti të paguhen fondet e para sipas Planit të Rritjes për rajonin, informoi sot zëdhënësja e KE-së për politikën e fqinjësisë, zgjerimin dhe partneritetet ndërkombëtare, Ana Pisonero, transmeton Portalb.mk.

“Pasi vendet anëtare më 11 tetor dhanë opinion pozitiv për agjendat e reformave që u dorëzuan nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Komisioni tani do të kalojë në hapin tjetër – miratimin zyrtar të agjendave të reformës. Kjo sigurisht që do të ndodhë së shpejti”, tha Pisonero.

Ajo shtoi se paralelisht me miratimin e agjendave, Komisioni Evropian po punon edhe për përgatitjen e marrëveshjeve me pesë vendet partnere nga Ballkani Perëndimor për Mekanizmin e Reformës dhe Rritjes dhe për kreditë, të cilat do të mundësojnë pagesën e fondeve të parashikuara për parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes.

“Këto marrëveshje duhet të nënshkruhen dhe ratifikohen nga shtetet anëtare, kështu që përcaktimi i afatit kohor nuk është qind për qind në dorën tonë. Por pritshmëria është që pagesat të jenë të mundshme së shpejti”, shtoi Pisonero.

Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, i paraqitën Komisionit Evropian agjendat e tyre të propozuara të reformave deri në afatin përfundimtar, 1 tetor. Në BeH, procedura për miratimin e agjendës së reformës është ngecur në procedurat ligjore.

Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhey, bëri të ditur dje se disbursimet e para të fondeve në kuadër të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor pritet të realizohen këtë muaj.

“Tani po shënon ora që vendet kandidate të nisin zbatimin e reformave në mënyrë që të ecim përpara me pagesën e mëtejshme të fondeve”, tha Varheji pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, me të cilën vendi filloi negociatat e anëtarësimit me klasterë.

Varheyi kujtoi se Plani i Komisionit Evropian për rritjen e Ballkanit Perëndimor synon të sigurojë investime shtesë në infrastrukturë, por edhe të ndihmojë vendet e rajonit të krahasojnë reformat thelbësore që janë të nevojshme për t’u bërë anëtarë të Bashkimit. Për këtë qëllim janë dhënë gjashtë miliardë euro në formën e granteve dhe kredive, pagesa e të cilave varet nga arritja e rezultateve në zbatimin e agjendave të përcaktuara reformuese.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar dje se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin paratë e para nga Plani i Rritjes deri në fund të vitit. Pesë nga gjashtë agjendat e reformës do të miratohen këtë javë, sqaroi ajo, që do të thotë se pagesa e gjashtë miliardë eurove nga Plani i Rritjes mund të fillojë para fundit të vitit.

“Plani i rritjes është më i rëndësishmi dhe me të themi se nuk mund të bllokosh të tjerët. Mund të bllokoni vetëm veten. Nëse dëshironi përparim, bashkëpunoni me të tjerët. Është një proces i bazuar në merita. Sa më shumë që vendet kandidate t’i afrohen qëllimit, aq më mirë për ta, dhe këtë do ta bëjnë vetëm për meritat e tyre”, tha presidentja e KE-së nga Berlini.

Në prill dhe maj të këtij viti, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli. 

750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.