Petrovska Stoltenbergut: Ka ngecje në reformat e sektorit të mbrojtjes

Ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, me letër e ka njoftuar Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, se ka ngecje në reformat rrjedhëse te sektori i mbrojtjes në vend, e si problem kyç e thekson mosmiratimin e Propozim-ligjit për të Punësuarit në Mbrojtje, raporton 360Gradë, transmeton Portalb.mk.

Në letër Petrovska sqaron se gjatë diskutimeve të Shqyrtimit të aftësive për planifikim mbrojtës 2021/2022 dhe Draft-shqyrtimit të aftësive për planifikim mbrojtës 2023/2024, një nga konkluzionet në raport me progresin e reformës në sektorin e mbrojtjes ka qenë riorganizimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Për këtë qëllim është përgatitur Propozim-ligji për të Punësuarit në Mbrojtje, teksti është miratuar nga ekspertë relevantë të NATO-s, sindikatat, komuniteti akademik, ministritë, si dhe organizatat joqeveritare. Qeveria e ka përcjellë deri në Kuvend, por, siç thuhet në letër, atje ligji është bllokuar.

“Teksti i ligjit, pa vërejtje nga Qeveria, u përcoll deri në Kuvend për miratim të të njëjtit. Faza e parë kaloi me sukses dhe kur duhej të hapet debati thelbësor për Ligjin, si ministre, kërkova që të parashtrohen amendamente ose vërejtje konstruktive me qëllim të përmirësimit të Ligjit dhe i luta partitë politike në Kuvend që të mos e përdorin këtë ligj për ujdi politike. Për fat të keq, partia opozitare VMRO-DPMNE, duke dashur ta bllokojë miratimin e këtij Ligji, vetëm dy ditë para mbajtjes së seancës së komisionit, parashtroi 1.500 amendamente jo thelbësore me të cilat miratimin e këtij ligji e bëri të pamundur”, i shkroi Petrovska Stoltenbergut.

Ministrja është e shqetësuar se bllokimi i ligjit dhe pamundësimi i debatit thelbësor mund të shkaktojë cenim të proceseve të punës në Mbrojtje, posaçërisht në pjesën e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe sigurisë dhe mbrojtjes informatike, si dhe pamundësimin e përforcimit të kuadrove në mënyrë profesionale.

“Me këtë letër dua t’u informoj se shtyrja e këtij ligji kyç për funksionimin e Ministrisë, nuk ndodhi për faj të Ministrisë. Shpresoj se të gjitha partitë politike do të veprojnë me përgjegjësi dhe i bëra thirrje opozitës që ta kuptojnë gabimin e tyre dhe t’i tërheqin këto amendamente të dëmshme”, përmbyll Petrovska letrën.

Kujtojmë se në seancën e parë plenare për vitin 2024 Kuvendi votoi disa ligje dhe propozim-vendime për kryetar dhe anëtarë të komisioneve të disa institucioneve.

Në kuadër të kësaj seance u votuan edhe Propozim ligji për aviacion – lexim i dytë, Propozim ligji për ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me procedurë të shkurtuar, Propozim ligji për të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes – lexim i parë.