Petkoviq: Beogradi bën gjithçka për të ruajtur paqen në Kosovë

 Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë sot se Beogradi zyrtar po bën gjithçka që ka në dorë për të ruajtur paqen, por se kjo nuk varet më prej tyre, raporton Anadolu.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Qeverinë e Serbisë, Petkoviq tha se është koha që dikush ta ndalë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti sepse “qëllimi i tij është të shkaktojë luftë dhe të ndezë jo vetëm veriun e Kosovës, por gjithë rajonin”.

Ai bëri të ditur se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të vazhdojë sot bisedimet me zyrtarë amerikanë dhe evropianë.

“Jemi të shokuar nga deklaratat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, në të cilat Serbisë i kërkohet lirimi i pjesëtarëve të arrestuar të Policisë së Kosovës ndërsa askush nuk e përmend se është i nevojshëm lirimi i serbëve të pafajshëm”, tha Petkoviq.

Sipas tij, Serbia është shtet juridik dhe këtë e vendos prokuroria dhe gjykata, nuk vendoset në ambasadë, e as me ndonjë njoftim.

Petkoviq theksoi se është absolutisht e pavërtetë se Beogradi dhe autoritetet kompetente i trajtojnë keq personat e arrestuar dhe përsëriti se ata punojnë në përputhje me ligjin.

Ai, duke folur për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, tha se mbrëmë në pjesën veriore të Mitrovicës “ka patur një gjendje të vërtetë të luftës”.

Sipas tij, mbrëmë forcat speciale Rosu kanë ardhur nga pjesa jugore e Mitrovicës me mbi 30 automjete të blinduara, të veshura me maska, me armë me tytë të gjatë dhe kanë maltretuar tërë veriun e Mitrovicës.

“Ata krijuan një rrjet sigurie, patrulluan në qendër të qytetit, kishin postblloqe në periferi të qytetit, ndaluan automjetet, kontrolluan njerëzit dhe i goditën me armë”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se një numër i madh i forcave speciale me armë me tytë të gjatë ishin ende të pranishëm mëngjesin e së shtunës.