Përsëri ndryshime të drejtorëve në NP Shkup dhe Parkingu i qytetit
Për më pak se dy vjet, NTP-Shkup ka drejtorin e tretë, ndërsa ndërmarrja publike Parkingu i qytetit pret drejtor të katërt që do të emërohet nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska. Drejtori aktual i NP Parkingu i qytetit, Kërste Petrevski, është emëruar drejtor i ri i NTP-Shkup në vend të drejtorit paraprak Aleksandar Stojkovski. Kryetarja e qytetit nuk ka bërë ende të ditur emrin e drejtorit të ri të “Parkingut të qytetit”, transmeton Portalb.mk.
Petrevski vjen në pozitën e drejtorit të NTP-Shkup si kuadër i GROM-it. Përveç Aleksandër Stojkovskit, më herët nga kjo pozitë ishte shkarkuar edhe drejtori Ivan Ilievski.
Që kur kryetarja Danella Arsovska ka marrë detyrën, NP Parkingu i qytetit ka ndërruar tre drejtorë – Filip Pashu, Bojan Hristovski dhe Kërste Petrevski.
Menjëherë pas ardhjes në pushtet, Arsovska ka shkarkuar edhe drejtorët e ndërmarrjeve publike të emëruar nga kryetari paraprak, Petre Shilegov. Në dhjetor të vitit 2021, Kristian Çushkov u shkarkua nga pozita e drejtorit në NTP-Shkup, kur në vend të tij u emërua Ivan Ilievski. Pas ardhjes së Arsovskës në pushtet, është shkarkuar edhe drejtori Borçe Jakimovski nga NP Parkingu i qytetit.